Shpend Ahmeti jep premtim të madh për Prishtinën (VIDEO)

Shpend Ahmeti ka dhënë shpresa se shumë shpejt do të vijnë ditë më të mira për futbollin prishtinas, i cili aktualisht është në kaos infrastrukturor, pasi kryeqyteti aktualisht nuk e ka asnjë fushë stërvitore, në dallim prej qendrave tjera të mëdha të Kosovës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës ka konfirmuar vendosmërinë e këtij institucioni për t’i dal në ndihmë klubit më të madh kosovar, FC Prishtinës, i cili ka mbetur në rrugë pas fillimit të punimeve për rinovimin e stadiumit në qendër të Prishtinës.

Zëri shkruan se bardhekaltrit po enden poshtë e lartë në kërkim të fushave të futbollit për të ushtruar dhe për të zhvilluar ndeshje kampionale me të gjitha ekipet zingjirore, të cilat ia kanë shtuar në masë të madhe shpenzimet në një kohë krize financiare që po e mundon futbollin e Kosovës.

Ahmeti është i vetëdijshëm me gjendjen infrastrukturore në kryeqytet, e cila e ka sjell në pozitë të vështirë klubin më me nam të Kosovës. Andaj, numri 1 i kryeqytetit i ka premtuar FC Prishtinës se shumë shpejt Komuna do t’i hapë rrugë daljes së saj nga kriza.

“Është e qartë se pas pranimit në UEFA dhe FIFA edhe ambiciet e Komunës janë rritur e po ashtu të klubit të Prishtinës për të fituar kampionate tjera dhe për t’u paraqitur ndërkombëtarisht dhe për ta pasur një strategji shumëvjeçare të zhvillimit. Ideja është për ta pasur një Akademi dhe ne si Komunë jemi të përkushtuar të përkrahim iniciativa të tilla sepse konsiderojmë se Kosova ka shumë talentë dhe ne si kryeqytet mund t’i tubojmë pranë vetës”, ka deklaruar Ahmeti për “Ekonomia Online”, transmeton “Zëri.info”.

Këto komente prijësi i Komunës së Prishtinës i ka bërë pas një takimi që ka zhvilluar me presidentin e FC Remzi Ejupi dhe me nënkryetarin e Federatës së Futbollit të Gjermanisë dhe Bundesligës, Helmut Hack, i cili është i gatshëm ta ndihmojë FC Prishtinën dhe kryeqytetin në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës.

“Kemi biseduar rreth identifikimit të hapësirave ku do të mund të ndërtonim fusha ndihmëse dhe Akademinë e klubit të Prishtinës në mënyrë që aty t’i ofrojmë fëmijët në moshë të hershme, t’i kemi trajnerët më të mirë dhe t’ju japim mundësi ta zhvillojnë talentin atyre që kanë talentë. Momentalisht kemi shumë pak stadiume, kemi shumë pak mundësi dhe ishte kënaqësi t’i dëgjojë iniciativat e Prishtinës dhe gatishmërinë për ndihmë të Helmut Hack”, ka potencuar Ahmeti.

Ndërkohë, presidenti i Greuther Furthit, Helmut Hack, ka përgëzuar Ahmetin për gatishmërinë që t’i kontribuojë përmirësimit të gjendjes së futbollit prishtinas dhe i premtoi përkrahje gjermane në këtë drejtim. Kurse, Ejupi e ka çmuar gatishmërinë e Komunës për ta ndihmuar FC Prishtinën dhe ka paralajmëruar se hapi i parë në këtë drejtim pritet të ndodh në fund të këtij muaji

Temat
LajmeSportVendVend

Të afërta