Rrëfimi prekës për jetën e vështirë të kampionit olimpik Ymer Pampuri (Intervista)

Ymer Pampuri u nda sot nga jeta në moshën 73-vjeçare, si pasojë e nja ataku kardiak.

Pampuri u shpall kampion Bote në Olimpiadën e Mynihut në vitin 1972.

Pavarësisht emrit të madh dhe nderimit që i ka bërë vendit, jeta e Pampurit vazhdoi të jetë e vështirë.

Lexoni më poshtë një rrëfim që ai pati dhënë para disa kohësh për gazetën Shekulli.

Si ju lindi pasioni për peshëngritjen?

Që në moshën 7-vjeçare kam qenë pjesë e cirkut. Pasioni më bëri të merrem me peshëngritje, megjithëse kushtet nuk ishin të mira. Ushtroheshim në baraka, ku më shumë thithnim pluhur sesa stërviteshim. Edhe mjetet nuk ishin të mira. Peshëngritja shihej si një sport amator. Rreth viteve ’65-’66 në Shqipëri erdhën teknikë nga Kina, të cilët sollën me vete edhe mjetet. Atëherë, ne nisëm të stërviteshim si duhet. Kur shpreha dëshirën për të marrë pjesë në aktivitetet evropiane dhe botërore, askush nuk më mori seriozisht. Madje, ngaqë thosha se do të dal kampion, më kanë çuar dy herë për kontroll psikik.

Çfarë ndodhi kur dolët për herë të parë jashtë vendit?

Për herë të parë kam shkuar në Rumani, në vitin 1972. Aty pashë tjetër botë, shumë ndryshe nga Shqipëria. Pashë për herë të parë shtanga me gomë. Nga emocionet, shumë sportistë shqiptarë dështuan. Unë ngrita të njëjtën peshë me atë që u shpall kampion, por u vlerësova me medalje argjendi sepse peshoja më shumë.

Pampuri-Monaco-di-Baviera-1972Si e kujtoni momentin kur u shpallët kampion bote?

Unë nuk isha njohur me rregullat e olimpiadës dhe në provën e parë u dogja, sepse më mbaruan sekondat për ekzekutimin e saj. Në provën e dytë, shtova direkt dy kg për të kompensuar humbjen e parë. Ngrita 125 kg. Në provën e tretë ngrita 127.5 kg duke thyer rekordin botëror. Në sallë kishte shumë shqiptarë, që jetonin jashtë në atë kohë, kryesisht nga Kosova, të cilët kur ngrita flamurin shqiptar, më duartrokitën shumë. Pasi mbaroi kampionati, kam qëndruar rreth një orë duke dhënë autografe. Ky mbetet ende një rekord i pathyer, sepse stili i forcës u hoq si disiplinë, pasi u konsiderua i dëmshëm për shëndetin.

Si ju pritën në Shqipëri kur u kthyet?

Nuk më priti askush. Vetëm familja më priste. Pas pak ditësh, më thirrën në Komitetin Qendror dhe më dënuan, sepse kisha dalë në një televizion të huaj dhe kisha dhënë intervistë. Edhe pjesëtarët e tjerë u ndëshkuan në forma të ndryshme. Arritja ime mbeti në hije për shkak të këtij problemi. Më vonë, gjatë stërvitjes pata një problem shëndetësor, por askush nuk u kujdes për mua dhe pësova trombozë.

Sa medalje keni gjatë gjithë karrierës suaj?

Pothuajse në të gjitha aktivitetet ku kam konkurruar kam dalë me medalje, por nuk kam asnjë prej tyre. Më ka mbetur vetëm një fotografi, që ma dhanë në Gjermani kur u shpalla kampion bote. Gjashtë medaljet që kisha dorëzuar pranë klubit “17 Nëntori” u vodhën gjatë 50-vjetorit të klubit.

Çfarë ndodhi me ju pas viteve ’90?

U përqendrova tek cirku, ku punova derisa dola në pension. Nga insistimi i miqve mora pjesë edhe në dy kampionate peshëngritjeje për mjeshtër. Pastaj nisën problemet shëndetësore që nuk më dhanë mundësinë të jem aktiv. Jam lënë në harresë nga të gjithë. Me rastin e 70-vjetorit tim u organizua një ceremoni, me nismën e Z. Elez Gjoza, ku u mblodhën sportistë e miq. U ndjeva i nderuar, pasi pas shumë kohësh arritjet po më njiheshin.

Çfarë ju ka munguar këto vite?

Pas vdekjes së bashkëshortes, jeta më është vështirësuar shumë. Kam një pension prej 20 mijë lekësh, që nuk më mjafton as për asistencën mjekësore. Do të doja të aktivizohesha në një palestër që të përcillja përvojën time tek të rinjtë. Kam dërguar disa letra në ministri, në federatë dhe në Komitetin Olimpik, por nuk kam marrë përgjigje.

Temat
Rajon

Të afërta