Isufi: Ndalja e trenit tregoi se ne kemi shtet

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, në Ballë për Ballë të Klan Kosovës ka thënë se ndalja e trenit serb me simbole nacionaliste ka treguar se Kosova është shtet dhe ka një sektor sigurie të konsoliduar.

Ai ka kërkuar që të bëhet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, në mënyrë që integriteti dhe sovraniteti i shtetit të jenë të garantuara, njofton Klan Kosova.

“Të bëhet transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës, pasi nevojiten vetëm votat në Kuvendin e Kosovës; gjithçka tjetër është gati. Institucionet e vendit është dashur ta kryejnë këtë punë, në mënyrë që të krijohet kjo forcë, që garanton sovranitetin dhe integritetin e vendit. FSK duhet të ketë më shumë buxhet, më shumë përkrahje, avancim të elementeve që cojnë drejt formimit të forcave të armatosura. Ushtria garanton interesin e vendit dhe njëkohësisht është partner më direkt i aleatëve të NATO-s. Derisa të ketë një mungesë të këtillë, situata e sigurisë është më e ndjeshme”.

Sa i përket deklaratave të Serbisë dhe Rusisë ludhur me trenin, Isufi ka thënë se ato nuk janë aspak shqetësuese dhe ka kërkuar që sytë të kthehen kah miqtë e vendit.

“Rusia nuk e ka njohur Kosovën shtet, por nuk varet prej tyre se si duhet të ecë Kosova. Ndaj, nuk duhet shikuar cka thonë kundërshtarët, por ata që ia duan të mirën vendit. Sidomos shtetet e Perëndimit, të Bashkimit Europian”.

Isufi ka theksuar se në bindjen e tij policia ka fuqi të mjaftueshme për të garantuar rendin dhe ligjin në vend, nëse institucionet e shtetit respektojnë ligjin dhe kushtetutën.

“Duke njohur kapacitetin e Policisë së Kosovës, mendoj që është majftueshëm profesionale për të kryer detyrat e saj. Zhurma e madhe tregon se nuk jemi në stadin e kuptimit se secili institucion e kryen detyrën e vet. Policia e ka bërë këtë gjë. Ky rast ka treguar se ne kemi mundësi që të veprojmë në bazë të ligjit dhe kushtetutës. Ndaj duhet eliminuar pengesat e ndryshme, si muri dhe strukturat paralele në një pjesë të territorit. Por nuk duhet harruar se në cdo moment Serbia është e gatshme të ndërmarrë veprime të tilla”.

“Kosova është shtet vital, që ka përkrahje ndërkombëtare. Sa i përket anës së sigurisë, ka kapacitete të mjaftueshme. Nëse institucionet e Kosovës zbatojnë kushtetutën jam i sigur që Kosova lëre që fuqizohet, por fiton edhe përkrahjen ndërkombëtare”.

Sa i përket ndaljes së Ramush Haradinajt nga drejtësia franceze me një fletarrest të vitit 2004 të lëshuar nga Serbia, ai ka thënë se pret që Haradinaj shpejt të kthehet në vend dhe drejtësia franceze të korrigjojë gabimin e bërë.

“Po presim që Ramush Haradinaj të kthehet në Kosovë, sepse nuk ka pasur arsye as të ndalet; ngaqë ka të bëjë me një akuzë të vitit 2004. Neva na ka cuditur reagimi i drejtësisë së Francës, pse nuk e ka liruar menjëherë. Nëse ka bërë dikush gjenocid në Kosovë, është shteti serb i Sllobodan Millosheviqit. Franca si shtet me drejtësi të konsoliduar duhet që të mos bazohet në fletarreste të këtilla”. /klankosova.tv

Temat
LajmeVend

Të afërta