Kommersant: Treni rus me afreskat serbe – “në prag të luftës”

Serbia dhe Kosova janë në “prag të luftës” për shkak të trenit që shkoi nga Beogradi në Mitrovicë të Kosovës, ka vlerësuar e përditshmja e Moskës, “Kommersant”.

Gazeta thekson se në atë ngjarje që nga fillimi kishte “shumë simbolikë politike”, sepse trenat nuk kanë shkuar në atë rrugë që nga viti 1999.

Treni u quajt “rus”, dhe më e rëndësishmja, ka vlerësuar gazeta, të dy vagonët janë pikturuar me afreska nga manastiret serbe në Kosovë, nga jashtë një flamur i madh serb dhe mbishkrimi “Kosova është Serbi”.

“Kommersant” përkujton se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dërgimin e trenit e ka quajtur provokim, ndërsa presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, ka paralajmëruar se do të dërgojë ushtrinë në Kosovë nëse ka nevojë për të mbrojtur serbët lokalë, raporton agjensia Beta.

“Shumë njerëz në Ballkan mendojnë se incidentin e ka provokuar vetë Beogradi”, shkruan gazeta, duke vënë në dukje se treni nga Kraleva, “i thjeshtë, pa shkrime”, në të njëjtën ditë pa problem erdhi në Mitrovicë.

“Kommersant” vlerëson se problemin e Kosovës “kanë filluar t’a shfrytëzojnë në mënyrë aktive shumë politikanë serbë, përfshirë më të rëndësishmit”, duke e lidhur këtë me zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Serbi.

“Incidenti ndodhi në një atmosferë të përshkallëzimit të retorikës së përgjithshme të politikanëve serbë, të cilën ekspertët e lidhin me zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Serbi, të cilat do të përcaktojnë politikën e ardhshme të jashtme të vendit”, vlerëson gazeta e përditshme e Moskës.

Temat
Rajon

Të afërta