KEDS-s i kthehet avazit të vjetër, rikthen reduktimet ABC

Nga sot qytetarët e Kosovës do të përballen me reduktime të energjisë elektrike duke u kategorizuar me planin diskriminues ABC.

Ky plan ishte aplikuar në kohën kur Kosova ishte në gjendje alarmante për energji elektrike dhe ndahesh qytetarët në kategori të furnizimit.

ABC-ja ishte konsideruar nga Avokati i Popullit si diskriminues dhe shkelje e të drejtave të njeriut.

Pas disa kohësh, kompania për Furnizim me Energji Elektrike, KECSO ka rikthyer planin ABC të reduktimeve.

Lajmi.net ka siguruar komplet planin që është hartuar për ta aplikuar ABC-në, e që është hartuar më 13 janar, e ka hyrë sot në fuqi, më 17 janar.

“Të nderuar ABC-ja e re futet në operim sonte nga 00:00”, thuhet në emailin zyrtar që e ka siguruar lajmi.net.

Lajmi.net ka provuar të flasë me zyrtarët e KEDS-it dhe KESCO-s për të marrë një sqarim për arsyen e aplikimit të këtij plani, por nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet me shkrim.

Po ashtu redaksia e Lajmi.net i ka shkruar pyetje Zyrës së Rregullatorit për Energji, por nuk kanë kthyer përgjigje se a ka të drejtë KEDS dhe KESCO të aplikojë planin ABC.

Ndërsa, Avokati i Popullit qasjen në energji elektrike e konsideron si bazike për të siguruar jetë të shëndetshme dhe për t’i përmbushur të drejtat sociale, ekonomike dhe kulturore.

“Qasja në energji elektrike është parakusht për të plotësuar nevojat bazike njerëzore, për të siguruar mirëqenie, jetë më të shëndetshme dhe për të ngritur kualitetin e jetës. Si e tillë, energjia elektrike është thelbësore për përmbushjen e të drejtave sociale, ekonomike dhe kulturore”, ka thënë për lajmi.net zëdhënësja e Avokatit të Popullit Majlindë Lulaj.

Avokati i Popullit e ka bërë përgjegjës ZRRE-në për veprim, në rast se qytetarët nuk marrin shërbime meritore me energji elektrike. Avokati i Popullit thotë se ZRRE duhet të veproj në pajtim me obligimet që dalin nga Udhëzuesi i OKB-së për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.

“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE)ka kompetencat për të caktuar paraprakisht cilësinë e shërbimeve dhe standardet për kryerjen e punëve, parimet dhe metodat e vënies së çmimit, tarifat për shërbimet e rregulluara të energjisë, monitorimin e tarifave, zgjidhjen e kontesteve, Ligji për Rregullatorin e Energjisë, mbrojtjen e konsumatorit e thekson si një nga kompetencat, detyrat dhe funksionet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Së këndejmi, ZRRE duhet të veproj me në pajtim me obligimet nga Parimet Udhëzuese të OKB-së për mbrojtjen e konsumatorëve. Në përmbushje të këtyre parimeve, kërkohet të veprojnë në mbrojtje të konsumatorit në pajtim me rrethanat sociale, ekonomike, mjedisore dhe nevojat e qytetarëve të vendit”, ka thënë Lulaj për lajmi.net.

Ndërsa në KEK kanë thënë se janë duke prodhuar me kapacitete të plota 100 për qind në bazë të planit.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli ka thënë për lajmi.net se KEK është duke realizuar prodhimin 100 për qind përkundër temperaturave të ulëta që janë duke mbretëruar.

Bucolli ka thënë se më 14 janar të këtij viti KOSTT i ka kërkuar KEK-ut që ta zvogëloi prodhimin për shkak se kërkesa ditore nuk i ka tejkaluar planifikimet.

“Operimi në termocentrale gjatë këtij moti të ligë dhe temperaturave jashtëzakonisht të ulëta ka qenë tepër i vështir. Mirëpo, falë angazhimit maksimal të punëtorëve të KEK-ut, kemi arritur, jo vetëm ti mbajmë në operim por edhe ta realizojmë prodhimin e planifikuar me përpikëri. Te realizimi i datës 14 janar 2017, kërkesa për konsum ishte më e ulët prandaj për të barazuar sistemin elektroenergjetik, kemi pas instruksione nga KOSTT për ulje të prodhimit për atë arsye edhe ka dale përqindja më e ulët e realizimit për atë datë”, ka thënë Bucolli për lajmi.net.

Bucolli ka thënë se KEK nuk është përgjegjës për furnizim me energji elektrike.

“Për të qenë transparent ndaj të gjitha palëve, vlen të theksohet se furnizimi i konsumatorëve me energji elektrike në bazë të licencave të lëshuara nga ZRRE-ja, është përgjegjësi ekskluzive e Furnizuesit Publik përkatësisht KEDS(KESCO-së), përgjegjësi kjo e ngarkuar edhe me ligjin për energji elektrike. Prandaj, për informimin e juaj KEK është përgjegjës vetëm për prodhim të energjisë elektrike dhe jo për reduktime apo furnizim të konsumatorëve”, ka thënë ai.

Temat
Vend

Të afërta