Policia konfiskon mbi 30 kilogramë drogë, arrestohet një i dyshuar

Policia e Kosovës njofton se kanë konfiskuar mbi 30 kilogramë substancë narkotike me ç’rast është arrestuar një person i dyshuar për “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Këtu mund të lexoni detaje nga komunikata e policisë për media:

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, Njësia në Prizren, ka bërë arrestimin e një personi të dyshuar për kryerjen e veprës penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Njësia për Hetimin e Trafikimi me Narkotikë në Prizren, pas marrjes së një informacioni se një person i dyshuar po transportonte substanca narkotike, në bashkëpunim me Njësinë e Autostradës kanë ndaluar automjetin Citroën, të cilin e drejtonte i dyshuari i cili duke mos respektuar urdhrat e zyrtarëve policorë ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes.

Falë reagimeve dhe veprimeve profesionale të zyrtarëve policorë është arritur të ndalohet i dyshuari dhe të sekuestrohet substanca narkotike.

I dyshuari i arrestuar në këtë rast është:

E. R. lindur me 1992 m/sh/k

Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake në Prizren është bërë bastisja e shtëpisë së të dyshuarit, me ç’rast janë gjetur dhe janë sekuestruar si prova materiale:

1 (një) pushkë gjahu,

31 plumba,

një automjet Citroen,

dy telefona mobilë,

dy paketime, në të cilat gjendet një substancë e dyshuar për narkotikë me një peshë totale prej 30 kg e 920 gramë.

Me aktvendim të Prokurorisë Themelore në Prizren, të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit policor në stacionin policor në Prizren.

Temat
LajmeVend

Të afërta