Matteo Renzi e dorëzon dorëheqjen të premten

Kryeministri italian, Matteo Renzi, do ta dorëzojë dorëheqjen nga posti i shefit të qeverisë të premten, sipas një burimi parlamentar, me presidentin e vendit, Sergio Mattarella, që është duke kërkuar ta ngadalësojë ritmin e krizës politike, raporton Reuters.

Renzi u zotua të hënën në mëngjes se do ta jepte dorëheqje, pasi pësoi humbje të thellë në referendum të dielën, por Mattarella, pushtetet e të cilit përfshijnë edhe emërimin e kryeministrit dhe shpërbërjen e parlamentit, i ka kërkuar atij që të qëndrojë në postin e kryeministrit derisa të kalohet buxheti i vitit 2017 në një seancë parlamentare të paraparë për sot, transmeton Express.

Nuk është e qartë pse është shtyrë dorëheqja e Renzit deri të premten, por Mattarella dëshiron që parlamenti ta përpilojë një ligj të ri elektoral para se të mbahen zgjedhjet, sipas një burimi të afërt me presidencën, një lëvizje kjo që më shumë mundësi do t’i pamundësojë zgjedhjet deri në pranverë, raporton Reuters.

Zgjedhjet parlamentare në Itali nuk janë të parapara para vitit 2018, por ekziston konsensus në rritje në mesin e liderëve partiakë që zgjedhjet të mbahen në fillim të vitit 2017.

Temat
BotëLajme

Të afërta