Hoxha: Synojmë krijimin e një baze të shëndoshë për funksionimin e sundimit të ligjit

Ministrja Dhurata Hoxha mori pjesë në takimin e Bordit të projektit të UNDP-së “Mbështetje për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë”, me ç’rast theksoi rëndësinë e mbështetjes që vjen nga partnerët e Ministrisë së Drejtësisë për reformën ligjore dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

Dhurata Hoxha ka thënë se Ministria e Drejtësisë është duke përmirësuar llogaridhënien e prokurorëve dhe gjyqtarëve duke reformuar, në aspektin ligjor, procedurat disiplinore kundër tyre.

“Jemi duke kompletuar mes tjerash reformën e të drejtave pronësore e cila do të ngërthejë në vete legjislacionin mbi pronën publike dhe do të sqarojë administrimin e të drejtave pronësore ekzistuese në vend”, ka thënë ministrja.

Mbështetja nga UNDP dhe Ambasada e Norvegjisë në këtë rast, theksoi ministrja Hoxha, duke përfshirë këtu edhe partnerët tjerë, është shumë e nevojshme sepse, me këto reforma synohet krijimi i një baze të shëndoshë për funksionim më efikas dhe efektiv të sektorit të sundimit të ligjit.

“Falë mbështetjes së këtij projekti, dhe disa projekteve tjera nga partnerë tjerë ndërkombëtarë, Ministria e Drejtësisë ka kompletuar këtë vit pakon e reformës ligjore e cila adreson mangësitë funksionale në profesionet e lira siç janë ndërmjetësimi dhe provimi i jurisprudencës.

Ministrja Hoxha vlerësoi lart përkushtimin e ekipit të projektit, përfaqësuesit relevantë dhe përfitues të projektit, Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Instituti Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Ndërmjetësimi dhe Gjykata e Apelit duke falënderuar Ambasadën e Norvegjisë për kontributin pa mbështetjen e së cilës nuk do të mundë të realizoheshin këto rezultate dhe prioritete”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.

Temat
LajmeVend

Të afërta