Ç’thanë nënkryetarët e partive shqiptare të Maqedonisë në emisionin “200” në Alsat-M

Në mungesë të debatit të kryetarëve, në emisionin “Programi 200” të TV Alsat-M janë përballur nënkryetarët e partive: Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së, Bardhyl Dauti, nënkryetar i PDSH-së, Agon Ferati, nënkryetar i LR-PDSH-së, dhe Zeqirija Ibrahimi, nënkryetar i Lëvizjes Besa.

Fillimisht nënkryetarët u lutën të komentojnë një spot publicitar të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti ku ai deklaronte se Maqedonia ndodhet para udhëkryqit në mes integrimit në NATO dhe izolimit.

Dauti i PDSH-së, është i mendimit se integrimi i Maqedonisë është punë e faktorëve gjeopolitik dhe nuk mund të zgjidhet nga Ali Ahmeti. Dauti ishte decid, “PDSH nuk do të bashkohet asnjëherë me BDI-në”.

Edhe nënkryetarët Ibrahimi dhe Ferati ishin të mendimit se premtimet e BDI-së përsëriten në çdo palë zgjedhje por ajo nuk mund t’i realizojë.

Mexhiti së pari tërhoqi vërejtjen nga përçarja e votës shqiptare e cila shkon në favor të partive maqedonase. “Si BDI, ndoshta na konvenon përçarja e opozitës shqiptare por si shqiptarë ne humbim nga kjo përçarje. BDI ka kapacitet të realizojë premtimet e veta për dallim nga partitë opozitare” përfundoi Mexhiti.

Të pranishmit u lutën të komentojnë ofertën e PDSH-së ku Thaçi bën thirrje që t’i bashkangjiten PDSH-së për të forcuar lidhjet e shqiptarëve me SHBA-në dhe BE –në.

Ibrahimi i Lëvizjes Besa mendon se PDSH nuk e ka luajtur si duhet rolin e opozitës dhe i ka mundësuar BDI-së të qëndrojë në pushtet edhe përskaj mungesës së rezultateve në vite.

Ferati ishte i mendimit se PDSH e ka vetëm me fjalë bashkëpunimin me SHBA-të dhe BE-në dhe përmendi shembullin e votimit të ligjeve të Prokurorisë Speciale, rast kur PDSH nuk votoi ashtu siç kërkonte SHBA dhe BE. Ndërsa LR-PDSH premton mbështetje të parezervë për PSP.Të njejtin mendim shprehu edhe Ibrahimi i Besës.

Por me këtë nuk u pajtua Dauti i cili tha se propozimet e përmendura nga Ferati në fakt ishin propozime të LSDM-së të sjella pa konsultim paraprak dhe megjithatë deputetët e PDSH-së kanë votuar pro këtyre ligjeve. PDSH do të propozoj sistem të “vettingut” për rizgjedhjen e gjykatësve dhe do të angazhohet për lirim nga burgu të shqiptarëve të dënuar padrejtësisht ku bëjnë pjesë edhe shumë ish-ushtarë të UÇK-së.

Mexhiti është i mendimit se deklarativisht partitë shqiptare nuk dallohen shumë por kur vjen puna te realizimi BDI e bën dallimin.

“Eja me ne, ne kemi Besë dhe besojmë në Zot! – këtë deklaratë të eksponentëve të Lëvizjes Besa kishte zgjedhur gazetari Rashidi për t’u komentuar nga të pranishmit.

Dauti tha se Lëvizja Besa do ta ketë fatin e partive të tjera të cilat në fund përfundojnë në BDI, dhe vetë kryetari i saj është ish-kandidat për deputet nga rradhët e BDI-së. Dauti tha se premtimet e PDSH-së janë konkrete dhe jo të përgjithësuara si të Lëvizjes Besa.

Ferati ishte i mendimit se përmendja e zotit është populizëm i tepërt. Ndërsa platformës së Lëvizjes Besa i mungon diagnoza e gjenezës së problemeve. Një nga problemet e funksionimit të Maqedonisë është kompetencat e tepërta të kryeministrit dhe ministrit të Financave, dhe LR-PDSH parashikon ndryshime në këtë fushë.

Mexhiti pyeti pse para çdo palë zgjedhjeve dalin parti shqiptare si këpudha pas shiut, ndërsa vetë kryetari i Besës ka qenë Sekretar shtetëror në një nga ministritë e BDI-së. Ridefinimin e shtetit e ka bërë UÇK në 2001-in ndërsa partitë opozitare sipas anketave do të fitojnë nga 2-3 deputet dhe nuk do të mund të realizojnë asgjë.

Ibrahimi tha se themelimi i Lëvizjes Besa ka ardhur si nevojë e ridefinimit të këtij shteti të keqkurdisur, dhe për këtë nuk ka nevojë të kërkojnë lejen e maqedonasve. Besa nuk do të lëshojë pe dhe nuk do të hyjë në qeveri pa u përmbushur kërkesat e saj. Sa i takon përmendjes së fesë, Ibrahimi tha se ajo është pjesë e identitetit të shqiptarëve.

Në fund, nënkryetarët komentuan një spot të kryetarit të LR-PDSH-së, Ziadin Sela ku ai bënte thirrje që qytetarët t’i bashkangjiten partisë së tij Zeqirija Ibrahimi tha se ofertat janë pak a shumë të njejta dhe do të kursehet nga vërejtjet për opozitën shqiptare.

Dauti tha se Sela ka qenë kuadër i privilegjuar i PDSH-së dhe e tradhtoi atë në momentin më të rëndësishëm për një parti – disa ditë para zgjedhjeve të vitit 2014. Ai që tradhton nuk ka kredo për të qenë lider.

Në fund të gjithë përfaqësuesit u shprehën të gatshëm për koalicion me LSDM-në ose VMRO-DPMNE-në me kusht që njerëzit në funksione të mos jenë të inkriminuar.

Temat
LajmeRajon

Të afërta