“S’jam dakord me shumë prej atyre që shkroi Andrea, por shoqëria ka nevojë për zëra të fortë si ai”

Ishim më afër, kur ishim më larg. Kështu e nis deputeti demokrat Astrit Patozi një shkrim në kujtim të gazetarit Andrea Stefani, i cili u nda sot nga jeta pasi vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Patozi kujton kohët e largëta kur ka punuar në një gazetë me Andrea Stefanin si kolegë, jo si miq, por asnjëherë si armiq, -siç shprehet ai. Kjo, për shkak të bindjeve politike që i ndanin.

“Me Andrean kam pasur fatin të jem edhe shumë afër, edhe shumë larg. Shumë e shumë vite të shkuara ishim kolegë, që punonim në të njëjtën gazetë. Takoheshim përditë asokohe, por nuk u bëmë asnjëherë miq. Më vonë, kemi ndjekur njëri-tjetrin, për shkak të angazhimeve publike, duke e parë atë përherë e më të larguar nga idetë dhe bindjet e mia. Dhe megjithëse nuk u takuam më kurrë dhe distanca në botëkuptim u thellua, nuk patëm dhe nuk gjetëm asnjë arsye për t’u konsideruar si “armiq”, – shkruan Patozi në një postim në rrjetin social Facebook.

Pavarësisht kësaj historie personale, Patozi shprehet se asgjë nuke epengon për të thënë se Andrea Stefani ishte unik.

“Ndryshe nga gjithë të tjerët, që mosha ua zbeh grintën dhe ua ftoh emocionalitetin, atij i erdhën duke iu forcuar këto shfaqje “djaloshare” të temperamentit. E kam gjetur cdo ditë më të zjarrtë dhe më pasionant në punën e vet, që prej kohës kur kemi pirë kafen e fundit si gazetarë të “Rilindjes” së Kosovës, ndoshta në vitin 1994. Edhe pse nuk jam dakord me shumë prej atyre që shkroi Andrea, kjo nuk e ndryshon bindjen time se shoqëria jonë ka nevojë për zëra të fortë si ai. Sepse mendoj që ai besonte në atë që thoshte, pak rëndësi ka nëse kishte të drejtë gjithmonë apo jo.

Dhe këtij vendi nuk do t’i vijë kurrë e keqja nga ata që luftojnë për të vërtetën, qoftë kjo edhe e parë me syzet jorealiste të pasionit politik. Por këtij vendi po i punojnë qindin pikërisht ata që bëjnë tamam të kundërtën e asaj që thonë. Dhe që jo në të gjitha rastet janë vetëm politikanë. Ndaj edhe më është dukur më afër Andrea, pikërisht atëherë kur kemi qenë më larg”, përfundon Patozi.

Temat
Opinione

Të afërta