Besimi Letrar, libri i ri i profesorit Muhamet Hamiti

Libri “Besimi letrat” me autor Muhamet Hamiti ka dalë sot nga shtypi në botim të Shtëpisë Botuese “Parnas” të Prishtinës.

“Falënderoj botuesin Agron Gashi dhe vëllain tim Besnik Hamiti për përgatitjen teknike dhe artistike të librit. Poashtu edhe Ministrinë e Kulturës të Kosovës për mbështetjen financiare. Këtu jepen “Parathënia” e librit si dhe shënimet e botuesit në kopertinë për librin dhe autorin”, ka shkruar autori.

Kjo është “Parathënia” e librit si dhe shënimet e botuesit në kopertinë për librin dhe autorin.

PARATHËNIE

Shkrimet për letërsi të përgjithshme, angleze e shqipe që mblidhen këtu i kam quajtur besimi letrar. Mund të lexo­hen veç e veç, por edhe në ndërlidhní organike. Fija që i bashkon nuk është ideja zanafillore e sistemit, por leximi relacional i tyre aposteriori. Kjo është ndërmarrje studimore në fushë të letërsisë, jo në fillime, me mësime, zbulime e magjepsje, as vonë, me kurorëzime sistematizuese që shpa­losin urti kanonizuese, po me mallin e pjekur e të kultivuar të leximit të letërsisë nga një dashurues i stërvitur i letërsisë.

Çereku i parë i librit (“Besimi letrar”) merret me letër­sinë në raporte marrjesh e dhëniesh me kohën, kombin, iden­titetin dhe religjionin. Koha është temë e madhe e letërsisë dhe e metafizikës. Për letërsinë koha e brendshme (psiko­logjike) në modernitet. Afritë e letërsisë, sidomos të romanit, që ka traditë 400-vjeçare, janë me kombin kulturor, që pastaj hyn në shërbim të kombit politik. Raportet e letërsisë me kombin dhe identitetin janë trajtuar në këto shkrime në rrafsh universal dhe vendor (veçantitë e situatës kulturore dhe letrare të Kosovës shqiptare), me vetëdijen se kombi matet me të tjerët, ndërsa letërsia ka masë veten. Letërsia si besim dhe besimi letrar në raport me besimin fetar trajtohen në shtrirje kohore deri sot.

Gjysma qendrore e librit, me titullin “Letërsi e për­botshme”, përvijon evolucionin e historisë letrare angleze në botimet akademike të Kembrixhit, rroket me shkrimtarin universal Uilliëm Shekspir, me Shekspirin e të gjitha kohë­rave, vështruar nga një perspektivë më e gjerë sesa modat studimore të kohëve të fundit, por edhe me strategjitë narra­tive dhe kuptimin në prozën e shkrimtarëve të mëdhenj mo­dernë Xhozef Konrad e Xhejms Xhojs (i pari britanik me origjinë polake, i dyti irlandez), si dhe me poezinë dhe teorinë e poezisë të Shejmës Hinit, poetit më të madh irlandez pas Jejtsit. Shkrimet për Shekspirin janë të këtij viti, me rastin e 400-vjetorit të vdekjes (2016), studimet për modernistët e prozës pjesë e një studimi për moderni­zmin e hershëm dhe të naltë, ndërsa për Hinin dhe letërsinë e tij në shkallë të parë dhe të dytë me rastin e vdekjes së tij. Kjo pjesë e librit përmbyllet me një studim krahasimtar për mënyrën se si paraqiten barbarët në letërsinë e K. Kavafit, Kuciesë (J. M. Coetzee) dhe S. Hamitit.

Çereku i mbramë i librit (“Letërsi shqipe”) mbledh shkrimet për letërsinë dhe studimet letrare shqipe, me fokus te studimet letrare dhe poezia e Kosovës, për letërsinë shqipe në raport me tjetrën/tjetrin, për realizmin socialist shqiptar, për studimet e Arshi Pipës, dhe për letërsinë dhe për poe­tikën historike shqipe të Sabri Hamitit, një ëork in progress i katërdhjetë vjetëve, që po bëhet opusi i tij. Shkri­me të tjera trajtojnë fenomene e autorë përfaqësues shqip­tarë, shkrim­tarë e kritikë letrarë, në përpjekje për t’i përvi­juar zhvillimet e hovshme e thyerjet letrare të shekullit të mbramë.

Ndonëse i specializuar për letërsi angleze dhe profesor në Universitet, interesat dhe kënaqësia letrare më kanë shpënë edhe përtej saj, te letërsia e përgjithshme dhe feno­me­ne kufitare letrare, por më kanë kthyer në shtëpi, në letër­sinë shqipe, të cilën mund ta lexoj nga një afërsi e larguar, për ta parë më mirë.

“Besimi letrar” mbledh shkrimet e mia për letërsinë të dekadës së fundit, që, mbasi kanë dalë fillimisht veç e veç gjetiu, botohen këtu pa ndryshime.

Prishtinë, nëntor 2016 Muhamet Hamiti

________

Shkrimet për letërsi të përgjithshme, angleze e shqipe në këtë libër të ri të Muhamet Hamitit janë quajtur “besimi letrar”. Mund të lexo­hen veç e veç, por edhe në ndërlidhní organike. Kjo është ndërmarrje studimore në fushë të letërsisë me mallin e pjekur e të kultivuar të studiuesit e dashuruesit të letërsisë. Besimi letrar ka marrë status qytetarie të barasvlershëm me besimin fetar, konstaton Hamiti, duke i bërë jehonë mendimit të kritikut James Wood se letërsia është bërë shkrimi i shenjtë shekullar në kohën tonë.

_______

Muhamet Hamiti (1964) është profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës. Ka bërë studime për letërsi në Prishtinë, Zagreb dhe Londër. Ka botuar ese kritikë për autorë të veçantë dhe fenomene letrare, një libër monografik për E. M. Forsterin dhe së voni një libër për prozën e shkrimtarëve modernë, Joseph Conrad dhe James Joyce.

Temat
Art

Të afërta

  • Bujarija dhe Refugjatët: Kosovarët në Mërgim

    Bujaria dhe Refugjatët: Kosovarët në Ekzil (Brill, Maj 2018) është një vepër historie që studion kontekstet politike dhe sociale që refugjatët Kosovarë i ndeshën kur lëshuan atdheun e tyre...
  • Ilir Shaqiri promovon librin “Adem Jashari”

    Shumë këngë ia kushtoi Adem Jasharit. E për komandantin legjendar, Ilir Shaqiri shkroi edhe libër. Të hënën në akademinë letrare të organizuar nga lidhja e shkrimtarëve ky promovoi poemën...
  • Vdes këngëtari Nijazi Bytyqi

    Muzikës shqiptare iu largua nga kjo botë një këngëtar i njohur. Bëhet fjalë për këngëtarin Nijazi Bytyqi, i cili ndërroi jetë në moshën 72 vjeçare, shkruan lajmi. Bytyqi ishte...
  • Shuhet aktori i njohur shqiptar!

    Ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të rëndë aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Lisenko Malaj. Vitet e fundit ai ka jetuar në Itali....