Merkel beson se BE dhe Turqia janë partnerë të besueshëm

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se palët janë partnerë të besueshëm në zbatimin e marrëveshjes për refugjatët mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu Agency.

Në konferencën për media të organizuar pas takimit me kryeministrin e Maltës Joseph Muscat në Berlin, Merkel u pyet rreth deklaratës së presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan se Turqia mund t’i hapë kufijtë për refugjatët dhe se a është e gatshme Evropa për valë të reja të refugjatëve, me ç’rast u përgjigj: “Besoj se BE-ja duhet t’i zbatojë përgjegjësitë e veta që burojnë nga marrëveshja. Ne veprojmë sipas asaj se edhe Turqia do t’i respektojë detyrimet e marrëveshjes”.

Merkel tha se marrëveshja në fjalë është në interes të të gjitha palëve.

“Kjo nuk është e mirë vetëm për ne, por sipas mendimit tim edhe për Turqinë. Asnjëherë nuk mund të jenë të mira strukturat mafioze që punojnë në brigje si trafikantë të njerëzve. Po ashtu nuk është mirë që të vihet në rrezik jeta e njeriut. Dua të rikujtoj, para arritjes së kësaj marrëveshjeje me Turqinë, më shumë se 400 njerëz humbën jetën në Egje në muajt janar dhe shkurt. Për këtë arsye, besoj se edhe BE-ja, edhe Turqia janë partnerë të besueshëm. Kemi shumë edhe shumë për të bërë së bashku në lidhje me këtë çështje”, tha Merkel.

Duke u përgjigjur në të njëjtën pyetje, Muscat tha se “Nuk është në interes të askujt largimi nga kjo marrëveshje. Çfarë do që të thuhet në deklarata zyrtare në lidhje me këtë çështje, këto nuk duhet përdorur nga asnjëra palë si arsyetim për mosvazhdimin e bisedimeve dhe kontakteve. Në të ardhmen duhet të bisedojmë edhe më tej. Gjendja në Mesdhe është komplikuar dhe po komplikohet edhe më shumë. Ne kemi thënë gjithnjë, edhe pse mund të mos jetë e përkryer, ne kemi një marrëveshje me Turqinë”.

Muscat tha se marrëveshje të ngjashme si me Turqinë duhet bërë jo vetëm me Libinë, por edhe me të gjitha shtetet e tjera në zonën e Mesdheut. Për këtë, siç tha ai, janë duke kërkuar bashkëbisedues për bisedime stabile.

Duke u shprehur se vitin e ardhshëm do ta marrin përsipër presidencën e BE-së dhe se këtë detyrë do ta kryejnë në mënyrë pragmatike, Muscat theksoi nevojën për qasje të drejtë ndaj Britanisë së Madhe e cila do të largohet nga BE-ja.

Temat
BotëLajme

Të afërta