KQZ cakton limitin e shpenzimeve gjatë fushatës për Drenasin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka përcaktuar limitin e shpenzimeve për subjektet politike gjatë fushatës për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme të cilat do të mbahen në Drenas më 4 dhjetor 2016.
Shuma e mjeteve për shpenzimet e fushatës zgjedhore e përcaktuar me Rregullën Zgjedhore, Kufizim i Shpenzimeve të Fushatës dhe Deklarimi i Financiar është pesëqind euro në një mijë votues të regjistruar.

Numri i votuesve sipas listës preliminare të regjistrit civilin në Komunën e Drenasit është pesëdhjetë e dymijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e tre votues (52,963)

Shpenzimet maksimale për t’u shpenzuar për fushatën zgjedhore në Komunën e Drenasit është njëzet e gjashtëmijë e katërqind e tetëdhjetë e një euro (26, 481.50 euro)

Drejtoresha Ekzekutive e Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, Miradije Mavriqi tha se janë llogaritur shpenzimet e fushatës për subjektet politikë për zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit.

‘’Sipas ekstraktit te fundit nga regjistri civil na kanë ardh se 52.963 votues janë në këtë komunë, ndërsa sipas ligjit për çdo votues llogaritet nga zero 50 cent shuma e shpenzuar kështu që gjithsej janë 26.481, 50 cent për këto në kufizim të shpenzimeve të fushatës për çdo subjekt politik i cili do të merr pjesë në garat zgjedhore”, tha Mavriqi.

Kurse, anëtari tjetër i KQZ-së, Betim Gjoshi tha se fletëvotimi ka specifika të njëjta sikurse edhe në zgjedhjet e kaluara. Sipas tij, janë plotësuar të gjitha kriteret për zgjedhjet në Drenas.

“Fletë votimi ka specifika siç i kishte edhe zgjedhjet e kaluara, pra ka tri elemente të sigurisë, mandej ka edhe dizajn ashtu siç i kemi pasur gjithmonë për kandidat për kryetar të komunës. Edhe si tillë konsideroj se janë plotësuar të gjitha kriteret dhe ju rekomandojmë që ta miratoni, këto specifika për fletëvotim për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Gllogoc që do të bëhen me 4 dhjetor të 2016”, tha Gjoshi

Zgjedhjet e Jashtëzakonshme në Komunën e Drenasit do të mbahen më 4 dhjetor të këtij viti, pas dënimit me burg të ish kryetarit Nexhat Demaku për krime të luftës, transmeton KosovaPress.

Temat
LajmeVend

Të afërta