Suspendohet nga puna zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë

N.Sh., zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë, është suspenduar nga puna, më datën 20 tetor. Merret vesh se ky zyrtar ka qenë shef i stacionit shëndetësor në Burgun e Dubravës, mirëpo pas një akuze të ngritur, atij i është ndaluar qasja në vendin e punës.

Lajmin për suspendimin e një zyrtari të Ministrisë së Shëndetësisë e ka konfirmuar edhe vetë ky institucion.

Sipas MSH-së më datë 20 tetor 2016, nga Drejtoria e Burgut të Dubravës, kësaj Ministrie i është përcjellë urdhri nga Gjykata Themelore e Prishtinës që N.Sh.-së t’i vendoset masa kufizuese për pozitën që ai mbante në burgun e Dubravës.

“MSH-së – Departamentit të Shëndetëssië në Burgje i është përcjellë një urdhër për masa kufizuese nga Gjykata Themelore e Prishtinës, e datës 12 tetor 2016 për një punëtor shëndetësor që punon në atë institucion. Ky urdhër vlen deri në një urdhër tjetër përkatës të kësaj gjykate”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhënë Gazetës Express.

Ndërkohë që N.Sh. do të qëndrojë në suspendim me pagesë në bazë të Ligjit të Punës deri në një vendim tjetër të gjykatës.

Temat
Vend

Të afërta