Ksenofobët – kampanjë për reperin Besko

Populistët zviceranë dhe reperët me origjinë kosovarë: Procesi kundër reperit simpatizant të Bin Ladenit Almir Durmishi – Amko që me një video në shtator kërkonte linçimin e populistit Lukas Reimann ende nuk ka filluar si duhet. Këtyre ditëve i njëjti populist ka nisur kampanjë për kthimin e një reperi tjetër të dëbuar nga Zvicra. Fjala është për Besjan Kaçorrajn, alias Beskon

«Duhet pasur parasysh se Besko më shumë na nevojitet këtu në Zvicër se atje në Kosovë», shkruan deputeti dhe njëri nga eksponentët e rëndësishëm të partisë ksenofobe zvicerane SVP, e njohur edhe për kosovafobinë e saj, Lukas Reimann. Para ca ditësh ai për këtë çështje i shkroi edhe Mario Gattiker-it, shefit të Sekretariatit Shtetëror për Migracion. Shumica e mediave zvicerane shprehen të habitura me këtë diskrepancë në qëndrime të partisë që tash e 25 vite kërkon dëbimin masiv të të huajve.

Letrën e zbuloi redaksia e formatit «Rundschau» të televizionit publik zviceran, e cila rastit i dedikon sonte një emision (sonte ora 20.55 në kanalin SRF1). Reimann ndërsa ka një llogari të thjeshtë; nëpërmjet tij, Beskos ai shpreson në «emancipimin» e atyre binladenistëve ndër reperët (që nuk janë pakë) si rasti i Amkos, pra të atyre që nuk i dëbojnë dot si Beskon.

BESKO

«Ai është resocializuar shumë mirë», thotë psikiatri i tij i rregullt nga Zürich-u, Ramon Vettiger dhe shton «është e rrallë që një njeri të zhvillohet në këtë mënyrë». Të njëjtat i konstatojnë edhe raportet e burgjeve zvicerane, ku Besjan Kaçorraj i kaloi pesë vite të jetës së tij si i dënuar për plaçkitje me armë, vjedhje të shumëfishta dhe plotë delikte tjera. Për të huajt, ata të panatyralizuarit vlen ligji që pas vuajtjes së dënimit të dëbohen në vendin e origjinës. Këtë ligj e kanë imponuar – duke kërkuar masa edhe më drastike – kolegët e ksenofobit Reimann. Në shkurt të këtij viti Besko u dëbua për në Prishtinë. Aktualisht ai thotë të jetojë në një hotel të Pejës dhe qenka duke kërkuar punë dhe banesë në kryeqytetin kosovar. Nga aty planifikon të bëjë një ankesë kundër shengen-ndalimit pesë vjeçar për të udhëtuar drejt perëndimit.

SHPRESAT

Juristët e Sekretariatit Shtetëror në Bernë thonë për GazetaExpress se gjasat për ta anuluar ndalimin janë më pak se minimale: «Vetëm pse dikush qenka reper dhe u mbrojtka nga ndonjë eksponent politik nuk ndryshojnë ligjet në fuqi», kështu përgjigja shkurt e troç. Këtë fakt e dinë edhe vetë aktivistët e protestës për rikthimin e «babait me një fëmijë në Zvicër», të cilët përkundër insistimit pranojnë se nuk kanë gjasa të mëdha edhe pse, siç thotë Reimann «e gjithë kjo nuk ka kuptim që të japish aq shumë të holla për resocializim dhe pastaj ta largosh nga vendi». I njëjti, partia e të cilit kërkon dëbimin e familjeve të tëra emigrante nga Zvicra nëse njëri prej tyre zihet qoftë edhe duke i grahur veturës pa patent.

Temat
Showbiz

Të afërta