Shifra alarmante për largimin e mjekëve nga Maqedonia

Mjekët e posadiplomuar në Maqedoni po regjistrojnë kurse për mësimin e gjuhës gjermane për të ikur jashtë vendit në kërkim të mundësive të reja. Nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë thonë se kjo dukuri kohëve të fundit është më e theksuar në rajonin e Tetovës, ku studentët e mjekësisë para se të përfundojnë fakultetin përgatiten për të shkuar jashtë vendit për punë, raporton Alsat-M.

Në dhjetë vitet e fundit është në rritje e sipër numri i mjekëve, të cilët nga Oda e Mjekëve kanë kërkuar vërtetime se në mënyrë aktive merren me mjekësi klinike, që të mund të punojnë jashtë vendit. Në vitin 2006 vërtetim të këtillë kanë kërkuar vetëm nëntë persona, ndërsa në vitin 2015 ky numër ka shkuar në 171. Nga Oda nuk janë në dijeni nëse këta mjekë janë kthyer dhe sa kohë kanë qëndruar jashtë vendit.

“Vërtetimi i njëjtë vlen edhe kur njerëzit planifikojnë të shpërngulen, por ne si Odë as që kemi të drejtë, e as që kërkojmë të dhëna për atë nëse mjekët shkojnë dhe kthehen apo nuk kthehen fare. Kjo është e drejtë personale dhe nuk janë të obliguar të na njoftojnë, ndërsa ne nuk kemi të drejtë këtë ta kërkojmë”, tha Lençe Nelovska, nënkryetare e Odës së mjekëve. Si shkak kryesor për largimin e mjekëve jashtë përmenden rrogat e ulëta, por edhe vendosja e sistemit të pagesës sipas punës dhe mungesa e kushte tjera që do t`i motivonte ata për të qëndruar në Maqedoni.

Temat
LajmeRajon

Të afërta