Përmbytjet, asnjë kompensim për makinat e dëmtuara

Përveç ngecjeve në kompensimin e shtëpive të dëmtuara nga përmbytjet e 6 gushtit, banorë të shumtë të Hasanbeut ankohen se ende nuk kanë marr kompensime as për makinat e tyre. Shumica prej tyre madje në pamundësi për ti riparuar, thonë se janë detyruar ti shesin automjetet e tyre me çmime shumë të ulëta.

“Na është premtuar se do marrin por ende nuk kemi marrë asgjë dhe jam detyruar qe veturën time ta shes për 5000 denarë kurse vetura ka vlere prej 1000 euro dhe nuk kam marrë veturë tjetër edhe pse vetura me duhet se jam me fëmijë të vegjël dhe jam me pleq ne shtëpi”.

“Veturat te cilat na i kanë dëmtuar vërshimet prej shtetit nuk kemi marrë asgjë vetëm një herë i kanë bërë disa vlerësime dhe nuk dimë asgjë dhe veturën e shita për 100 euro kurse vetura ka vlerën prej 1200 euro”.

“Për veturën qe është dëmtuar nuk kemi marrë asnjë ndihmë nga shteti vetëm se kanë ardhur i kanë marr disa shenja dhe asgjë tjetër kurse vetura ka vlerë prej 1500 euro. Kam fëmijë dhe nënën plakë po më duhet shumë vetura po nuk kam mundësi me ble veturë tjetër”.

“Kjo veturë është bllokuar dhe nuk ka shanse të riparohet sepse vetura ka qenë e mbuluar me ujë nga vërshimet. Vetura ka vlerë prej 3000euro kurse prej shtetit nuk kemi marr as njëfarë ndihme”.

Nga Komisioni për vlerësimin e dëmeve theksuan se fillimisht do të bëhet kompensimi i dëmeve të shtëpive dhe më pas do të shqyrtohen hapat për zhdëmtimin e automjeteve.

“Pasi të përfundojmë me fazën e parë do të shkojmë me fazën e dytë në bujqësi dhe ne si komision do të dorëzojmë raport në qeveri dhe varësisht nga vendimi qeverisë do të vazhdojmë edhe me fazat e tjera por si prioritet i yni kryesor është të përfundojmë fazën e parë me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në amvisëri”, tha Ejup Alimi, komisioni për vlerësime.

Temat
LajmeRajon

Të afërta