‘Pas 2-3 muajsh Kushtetuesja do gjykohet rëndë, amerikanët do të denoncojnë komplotin me krimin shtetëror’

I fokusuar më së shumti në Reformën në Drejtësi dhe impaktin që do të ketë ajo në sistemin e drejtësisë shqiptare, avokati Spartak Ngjela ka komentuar sot forcën që do të ketë një prej organeve më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare siç është Gjykata Kushtetuese.
Ngjela ngre disa pikëpyetje në lidhje me zbatimin e reformës nga ana e kësaj gjykate, që sipas tij ka bërë komplot me krimin shtetëror.

Ja çfarë shkruan Ngjela:

I gjithë korrupsioni shtetëror dhe gjyqësor e ka sot vështrimin e shpresës për mbijetesë, te Gjykata Kushtetuese

Kjo është vetëm një logjike e dëshpërimit, dhe jo një realitet.

Por pyetjet janë këto:

A do të ketë kurajë Gjykata Kushtetuese të marrë turpin përsipër për të dalë në mbrojtje të krimit shtetëror shqiptar?

A do të marre përsipër Gjykata Kushtetuese që të gjykojë një padi antiamerikanë dhe kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian?

Të dyja këto pyetje kanë një përgjigje: pamundësia e Gjykatës Kushtetuese për të ndërmarrë një akt antishqiptar qëndron në faktin që Reforma në Drejtësi nuk mund të ndalohet, kurse vetë gjykata implikohet shumë rëndë në histori, dhe patjetër që do te gjykohet rëndë pas dy apo tre muajsh, sepse ndërkombëtarët dhe vetë amerikanët do të denoncojnë komplotin e bashkëpunimit të krimit shtetëror me Gjykatën Kushtetuese. Prandaj Gjykata nuk mund të asgjesojë vetveten.

Reformën shqiptaro-amerikane nuk e ndalon dot askush: as Rusia, as Kina, as ata që shkojnë në Rusi, dhe as ata që shkojnë në Kinë. Naiviteti politik i lidershipëve mediokër të politikës banale të vendeve të botës së tretë, ka bërë që këta gjithmonë të kenë qenë viktima të injorancës së tyre.

Reforma shqiptaro-amerikane që ka marre tani formë kushtetuese, nuk ndalohet dot më nga asnjë forcë e brendshme kriminale në Shqipëri.

Kush nuk kupton dot këtë, dhe vepron kundër kësaj Reforme, i bën keq vetëm vetes dhe jo Reformës.

Kushtetuta shqiptare tani, në funksion të Reformës, ka mbrojtje amerikane të konsakruar. Asnjë forcë e brendshme e inkriminuar në korrupsion nuk ka forcë që ta ndalojë.

Temat
LajmeRajon

Të afërta