KQZ po e pret vendimin e Presidentit për zgjedhjet në Drenas

Komuna e Drenasit nga nesër shkon në zgjedhje të reja. Kjo ngase kryetari i kësaj komune, Nexhat Demaku ka paralajmëruar dorëheqjen e tij, që të martën, një ditë pasi Gjykata e Apelit i konfirmoi atij 3 vite burg për krime të kryera gjatë luftës, në rastin e njohur si “Drenica 2”.
E Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në vend, po konsideron se është i gatshëm që t’i mbajë zgjedhjet e reja në komunën e Drenasit.

Në një prononcim për Gazetën Express, kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, është shprehur se zgjedhjet sipas procedurave ligjore mbahen në afatin kohor prej 30 deri në 45 ditë nga momenti i dorëheqjes së kryetarit Demaku.

Por Daka u shpreh se KQZ, konform ligjit do ta pres vendimin e presidentit Thaçi për shpalljen e zgjedhjeve dhe pastaj do t’i organizoj ato.

“Ne si KQZ jemi të gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve te reja në Komunën e Drenasit. I mbetet presidentit të shtetit që ta shpallë vendimin për mbajtjen e tyre. Posa presidenti ta shpallë ne do t’i mbajmë ato”, ka thënë Daka për Gazetën Express.

Ndryshe, Gjykata e Apelit, ka bërë vetëm një ulje të dënimit nga aktgjykimi i 27 Majit 2016, i Gjykatës Themelore të Mitrovicës për rastin ‘Drencia 2’. Kjo gjykatë, ka zbritur dënimin ndaj ish-komandantit të përgjithshëm të UCK’së, Sylejman Selimi nga 8 vite burgim në 7 sosh.

Në rastin ‘Drenica 2’ të dënuar tjerë për krime lufte janë: Isni Thaçi me 6 vjet e 6 muaj burgim, Zeqir e Jahir Demaku me nga 6 vjet burgim, Agim, Driton, Bashkim dhe Selman Demaj me nga 3 vite burgim.

Temat
LajmeVend

Të afërta