Tahiri: Dialogu në Bruksel ka dhënë rezultate historike

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, ka folur dje në seminarin e 93-të “Rose-Roth”, organizuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-së, në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, në temën: “Dialogu Kosovë-Serbi, lëvizja përtej rrugëve të bllokuara”.

Duke folur në kontekst të marrëdhënieve në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ministrja Tahiri u fokusua tek rëndësia e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ajo tha se kjo njohje do të bëhet një bazë edhe për krijimin e marrëdhënieve paqësore në mes të dy popujve, shqiptarëve dhe serbëve, mirëpo ky model, jo vetëm dialogu i Brukselit por edhe njohja e realitetit do të duhej të ishte model edhe për të hequr gjërat që kanë mbetur hapur në mes të Serbisë dhe Bosnjës, ngase ka ndërhyrje të herë-pas-hershme të Serbisë në Bosnjë, pastaj e kemi çështjen e emrit të kontestuar në mes të Maqedonisë dhe Greqisë, dhe në përgjithësi kemi punë të gjithë në rajon që t’i bëjmë reformat e duhura evropiane dhe euroatlantike në mënyrë që sa më shpejtë i gjithë rajoni të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-së.

Tahiri u shpreh se do të ishte mirë që edhe Evropa të përshpejtojë proceset e eurointegrimeve për të gjitha vendet e Ballkanit, sepse vetëm kështu mund të shohim paqe të qëndrueshme edhe në rajon por edhe në Evropë.

“Ne i kemi parasysh sfidat me të cilat po ballafaqohet jo vetëm BE-ja por pothuajse e gjithë bota, sfida këto që lidhen me sigurinë globale, të refugjatëve, terrorizmit, pastaj edhe çështja e brexitit, megjithatë, Kosova është e përkushtuar që të punojë për vizionin euroatlantik. Në këtë drejtim ne edhe kemi dhënë dëshmi e edhe po japim me faktin që kemi nënshkruar marrëveshjen për Stabilizim Asociim me BE-në”, ka thënë Tahiri.

Ministrja për Dialog u shpreh se dialogu i Brukselit ka dhënë rezultate mjaftë të rëndësishme, mund të them edhe rezultate historike, ngase ne edhe dy herë tjera kemi biseduar me Serbinë.

“….kemi biseduar edhe në kuadër të bisedimeve të Vjenës, që kanë qenë të fokusuara në statusin, gjë që edhe e dha Pavarësinë e Kosovës, sepse ne e nënshkruam marrëveshjen ndërsa Serbia përsëri dështoi që ta nënshkruaj atë. Ndërsa dialogu i Brukselit për here të parë ka prodhuar marrëveshje të nënshkruara mes të dyja shteteve, pra këtu është rëndësia ngase ky dialog ka nxjerrë marrëveshje, dhe ato kanë adresuar çështje të rëndësishme, duke u nisur nga bashkëpunimi ndërkufitar dhe vendosjes së kufirit përmes marrëveshjes së IBM-së, dhe kthimit të autoriteteve ndërshtetërore në pikëkalimet kufitare ku Serbia i kundërshtonte në veri, deri që sot kemi hapjen e urës së Ibrit, e cila që nga përfundimi i luftës, ka qenë një urë ndarëse, e bllokuar me barrikada dhe logjika të barrikadave, dhe në gusht të këtij viti në saje të dialogut ne i dhamë fund, dhe ura tashmë është urë që është sinonim i bashkimit dhe komunikimit në mes të gjitha komuniteteve dhe qytetarëve.”, ka thënë Tahiri.

Temat
LajmeVend

Të afërta