Merr fund armëpushimi – rikthehen luftimet dhe bombardimet në Alepo

Luftime të ashpra janë raportuar në qytetin e rrethuar sirian të Alepos, pasi një armëpushim treditësh përfundoi të shtunën.

Armëpushimi humanitar ishte shpallur javën e kaluar nga Rusia, e cila në Siri po ndërmerr sulme ajrore në mbështetje të regjimit të Bashar al-Assadit.

BBC raporton se Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britani, ka thënë se në natën e së shtunës janë rikthyer luftimet dhe sulmet ajrore.

Observatori po ashtu ka shprehur shqetësimin e tij se në qytet nuk kanë arritur ndihma të mjaftueshme humanitare gjatë armëpushimit, transmeton Gazeta Express.

Sipas Observatorit, sulmet ajrore kanë goditur një front të rëndësishëm të kryengritësve në jugperëndim të qytetit të shtunën, teksa përleshjet ndërmjet tyre dhe trupave qeveritare janë intensifikuar në distriktet lindore të Alepos, që kontrollohen nga kundërshtarët e regjimit. /Express/

Temat
BotëLajme

Të afërta