Këshilli Gjyqësor kyçet në fushatën e Gruevskit kundër Speciales

Kreu i Këshillit Gjyqësor Republikan (KGJR) të Maqedonisë Zoran Karaxhoski u kyç sot në fushatën e egër të VMRO-së kundër Prokurorisë Speciale Publike, e cila po tenton të zbardhë rastet e rënda të krimeve të shumta për të cilat akuzohet lideri partiak Nikolla Gruevskit dhe bashkëpartiakët e tij në funksione të larta shtetërore.

Karaxhoski në një konferencë për medie sot tha se marrja në pyetje e pesë gjykatësve të Gjykatës Administrative nga Prokuroria Speciale është “goditje për pavarësinë dhe imazhin e gjykatësve”.

Ai nuk deshi të përgjigjet nëse integriteti i gjykatësve prishet edhe me atë që Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit nuk i lejoi Speciales të ketë qasje te provat e nevojshme, edhe pse për këtë kishte urdhër gjyqësor. Ai u arsyetua se për këtë ka dëgjuar nga media.

“Nëse ka urdhër Gjyqësor, ky është problem shtesë për atë që ka refuzuar të veprojë sipas urdhrit gjyqësor dhe kjo ka procedura të mëtutjeshme”, deklaroi Karaxhoski, raporton Alsat.

Cilat janë procedurat e mëtutjeshme?

“Mendoj se kjo është jashtë konferencës së shtypit”, u përgjigj Karaxhovski.

Pyetja është a prishet integriteti gjyqësor me moszbatimin e vendimit gjyqësor?

“Këtë e thoni ju, unë nuk kam informatë nëse është kështu ose jo”, tha shkurt Karaxhovski.

Dje kishte deklarata zyrtare nga Prokuroria Speciale se kjo kërkesë me urdhër gjyqësor nuk zbatohet?

“Unë dëgjova deklarata zyrtare edhe të personave tjerë, dhe në fund doli se kjo nuk është kështu”, u shpreh Karaxhovski.

Për Karaxhovskin joserioze ishte edhe pyetja nëse ai, njëjtë si edhe paraardhësit e tij në këtë post, ka vazhduar të lajmërohet tek Nikolla Gruevski për përzgjedhjen e gjykatësve të rinj, siç dëgjohej në materialet e përgjuara.

“Edhe unë di barsoletë, por nuk do ta them për shkak të interesit të kohës”, theksoi Karaxhovski.

Mendoni se kjo është përgjigje serioze nga njeriu që udhëheq gjyqësorin?

“Urdhëroni me pyetje?”, u shpreh Karaxhovski.

Çfarë të urdhërojmë kur nuk përgjigjeni?

“Çfarë të përgjigjem?”, pyeti Karaxhovski.

Nuk u përgjigjet në pyetjet e kolegut.

Më vonë Karaxhovski tha se nuk i lajmërohet askujt nga pushteti dhe se gjyqësori është i pavarur. Por, pikërisht gjyqësori në të gjitha raportet e Institucioneve ndërkombëtare përmendet si problematik.

Temat
Rajon

Të afërta