Gjithçka për SPAK-Kur nis zbatimi i ligjit të famshëm për hetimin e zyrtarëve të lartë?

Do të duhen dy javë për botimin në Fletoren Zyrtare të ligjit për strukturën e posaçme kundër krimti të organizuar dhe të korrupsionit (SPAK) që të hyjë në fuqi.

Por ndërkohë do të duhen qindra ditë që të nisë puna e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ndërsa SPAK është miratuar dhe dekretuar, nuk është miratuar ende në Parlament ligji për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, nën varësi të të cilit janë përcaktuar strukturat e posaçme hetimore.

Mban numrin 95 dhe ka 58 nene… Fjala është për atë që tashmë njihet si ligji për SPAK

Sfidën kombëtare të çrrënjosjes së korrupsionit do ta kenë në dorë vetëm 10 prokurorë, ata që do t’i kalojnë me sukses filtrimin e pasurisë dhe figurës së kulluar dhe trajnimin e specializuar nga FBI-ja amerikane…

T’u dridhen gjunjët zyrtarëve të lartë para se të mendojnë të bëjnë korrupsion apo të merren me krimin e organizuar.Ky është qëllimi, pse me ligjin që hyn në fuqi në fillim të nëntorit, Shqipëria do të ketë gjykatë dhe prokurori të specializuar dhe bërthamën kryesore të sulmit ndaj zyrtarëve të lartë, Byronë Kombëtare të Hetimit.

Gjykatat e posaçme, përcakton neni kushtetues, gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, ministrave dhe zv.ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushteteuse dhe asaj të Lartë, Prokurorit të Përgjitshëm, Inspektorit të Lartë Të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, anëtarit të KLGJ e KLP, dhe drejtuesve të institucioneve qëndrore dhe të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.

Por i motivuar dhe ky si gjithë reforma në drejtësi, nga urgjenca kombëtare për të pastruar gjyqësorin nga të korruptuarit, ky është një ligj që detyron fillimisht gjykatësit dhe prokurorët, si dhe këdo që pranon të aplikojë për të punuar në SPAK dhe BKH që të dorëzojnë të drejtat e tyre, në emër të së mirës kombëtare.

Në proçesin e filtrimit të imte përmes vetëdeklarimeve dhe verifikimve ata firmosin deklaratën përkatëse me shkrim për heqjen dorë nga e drejta e tyre për pritshmëri për privatësi (jetë private) në telekomunikimet e tyre dhe në të dhënat financiare.

Pyetja është kur nis nga puna?

E vështirë për një datë fikse, pasi do të duhen muaj të tërë për t’u ngritur fillimisht Këshilli i Lartë i Prokurorisë, institucioni që emëron prokurorët e posaçëm dhe drejtuesit e BKH-së.

Por ndërkohë ligji për KLP-në ende nuk është miratuar nga Kuvendi.

Ndërsa në këtë ligj për SPAK që brenda pak ditësh hyn në fuqi, një afat e ka llogaritur vetë ligjvënësi në dispozitat kalimtare.

Aty flitet për mesnatën e ditës së 300-të nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Është një afat kur supozohet vënia e SPAK dhe BKH në funksion dhe transferimi i veprave të krimit e korrupsioniti nga Krimet e Rënda tek strukturat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Do të jetë një komision me ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare, duke nisur nga momenti i themelimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ligji garanton pavarësi dhe autonomi për prokurorët e posaçëm të cilët nga ana tjetër kur kanë dyshime të arsyeshme për kryerjen e një vepre penale, hetojnë dhe ndjekin penalisht prokurorë të Prokurorisë së Posaçme ose gjyqtarë të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Temat
Vend

Të afërta