Zv.ministri i Drejtësisë: Letrat e Thaçit në prokurori, të pazakonta (Video)

Edhe pse nuk përbën ndërhyrje në drejtësi, mënyra e publikimit të letrave të presidentit Thaçi, nga ana e Zëvendësministrit të Drejtësisë, Florian Dushi, është cilësuar si e pazakontë.

Dushi, në një intervistë në InfoBox në RTV Dukagjini, ka thënë se qeveritë paraprake mund të kishin ofruar ndihmë sa i përket zbardhjes së vrasjeve të pasluftës, por, sipas tij, kjo çështje duhet t’i lihet në duar sektorëve të sigurisë dhe drejtësisë, pa u ndikuar nga politika.

Dushi, i cili është edhe anëtar i LDK-së, ka thënë se pa zbardhjen e këtyre rasteve, tensionet do të vazhdojnë të jenë të pranishme edhe kur koalicionet mund të konsiderohen të domosdoshme.

Duke folur për proceset nëpër të cilat po kalon vendi, Dushi ka thënë se qeveria i ka numrat e duhur për t’i çuar ato përpara dhe se nuk janë të nevojshme zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Ndërsa, sa i përket tejkalimit të përgjegjësive nga ana e kryeparlamentarit Kadri Veseli, Dushi e ka vlerësuar si diçka për konsum politik të kryepalamentarit.

Dushi në InfoBox ka theksuar për nevojën e shtimit të presionit ndërkombëtar ndaj palës serbe, sa i përket çështjes së zbardhjes se fatit të personave të pagjetur.

Kjo sepse, sipas tij, me gjithë angazhimin e shtuar të kësaj ministrie, komisionit qeveritar dhe grupit dialogues rreth këtij procesi, pala serbe ende vazhdon t’i mbajë të fshehura listat e vendndodhjes së varrezave.

Temat
LajmeVend

Të afërta