SBASHK sërish kërcenon me grevë

Rreth 7500 të pensionuar figurojnë në listat e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) që presin të marrin kontributet e paraluftës për punën në arsim. Disa prej tyre, konfirmohet nga kjo Sindikatë, se kanë ndërruar jetë duke pritur kontributet për angazhim në sektorin e arsimit gjatë periudhës 1989-1999.

Kjo Sindikatë për herë të fundit i bën apel Qeverisë së Kosovës që ta procedojë në Kuvend për miratim Projektligjin për Kontributet e Mësimdhënësve të Paraluftës.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, ka thënë për “Zërin” se nëse dhe javën e ardhshme nuk mbahet një takim ndërmjet krerëve të SBASHK-ut me kryeministrin Isa Mustafa, si dhe me ministrin e Financave, Abdullah Hoti, kjo Sindikatë do ta thërrasë grevën.

“Java e ardhshme ka mbetur ose-ose”, thotë ai, duke bërë të ditur se deri më tash Sindikata ka negociuar me Qeverinë që të gjenden format e pagesës së mësimdhënësve të paraluftës. “Mësimdhënësit po vdesin pa marrë kontributet e paraluftës”, thotë Jasharaj.

Temat
LajmeVend

Të afërta