Lufta për mbijetesë e të riut që kërcënoi se do hidhej nga vinçi, ja kushtet e mjerueshme (Foto)

E takova Erjon Selimajn, të riun që kërcënoi se do të hidhej nga një vinç pranë ish stadiumin Qemal Stafa, disa javë më parë, në mes të një grupi jetimësh të rritur që po luftojnë të mbijetojnë.
Historia e tij dhe e jetimëve të tjerë tregon një copëz të realitetit shqiptar.

Erjon Selimaj dukej se mburrej kur thoshte se kishte filluar të vidhte çfarë t’i dilte përpara që në moshën 14 vjeç dhe se kishte hyrë në burg për herë të parë në moshën 18 vjeç. Aktualisht gjendet i kallëzuar për një vepër tjetër penale.

Selimaj, 25 vjeç, nga një fshat i Vlorës, qe një nga shumë shqiptarë që jetojnë brenda ose përreth konvikteve të Qytetit të Nxënësit dhe që vazhdimisht kërcënohen për t’u nxjerrë nga këto mjedise nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Selimaj tërhoqi vëmendjen e medias sot (18 tetor) pasi hipi në një vinç pranë ish-stadiumit Qemal Stafa dhe kërcënoi se do të vriste veten. Policia negocioi me të për disa orë deri sa ai u bind të zbriste.

Banorët e konviktit të shkollës Hoteleri – Turizëm njoftuan disa organizata të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në shtator 2016 se policia bashkiake e Tiranës i kishte kërkuar të lironin banesat e tyre modeste. Disa prej tyre kishin marrë një letër ku i komunikohej kërkesa për t’u larguar ndërsa të tjerë thanë se qenë zgjuar një mëngjes nga policë bashkiakë, të cilët i kishin kërcënuar se do të nxirreshin me forcë nëse nuk lëviznin.

Letra e fundit, e mbërritur më 22 shtator 2016, i kërkon njërit prej banorëve jetimë “të lirojë mjediset e zëna padrejtësisht nga ju, pasi bëhet pengesë për zhvillimin normal të procesit mësimor”.

Një dyzinë jetimë si dhe familje të krijuara nga jetimët jetojnë aktualisht në disa dhoma të vogla në katin e parë të konviktit. Të gjithë ata që folën me BIRN, në shtator të këtij viti, kërkuan të mos identifikoheshin me emër nga frika e raprezaljeve nga autoritetet.

“Na kanë thënë që nëse ankohemi në media rrezikojmë të mos përfitojmë ndihmë [ekonomike],” tha njëri prej tyre. “Policia Bashkiake sillet shumë keq me jetimët, na shkelin me këmbë,” shtoi ai.

Historia e jetimëve është pak a shumë shabllon.

“Mua më kanë gjetur në rrugë,” tha një 34 vjeçar nga Korça, ndërsa shpjegoi se u rrit në shtëpinë e fëmijës Zyber Hallulli në Tiranë deri sa në vitin 2000, e dërguan te konvikti i Hoteleri – Turizmit, ku dërgohen shumë jetimë që mbushin moshën për të dalë nga shtëpitë e fëmijëve, me supozimin se në këtë shkollë do të marrin një profesion për të gjetur një punë dhe për të ndërtuar jetën.

Shumë nga jetimët ia dalin. Por një pjesë, jo. Disa kanë mbetur te konvikti që u dërguan për shkollë tashmë prej dekadash. Disa janë të sëmurë, të tjerë janë thjeshtë të papunë dhe të paarsimuar.

I riu 34 vjeçar jeton aktualisht në një dhomë të vogël dy me tre, me lagështirë mbi një metër të lartë. Ai fle në një dyshek të shtruar përtokë dhe mbijeton me ndihmë ekonomike që “nga një herë bie 17 mijë lekë (të vjetra) dhe nga një herë, 30 mijë në muaj”.

“Unë nuk di të punoj,” thotë ai. “Unë nuk kam njeri, mua më ka rritur shteti,” shtoi ai.

Pjesa tjetër e jetimëve i tha BIRN se ata vijojnë të jetojnë në kushte të këqija për arsyen e thjeshtë se nuk kanë ku të shkojnë.

“Kemi aplikuar disa herë për shtëpi sociale në bashki por ata vazhdimisht na thonë se duhet të dorëzojmë sërish dokumentet pasi dokumentet e vjetra nuk vlejnë,” tha njëri prej tyre.

Riaplikimi për banesë sociale është zakonisht rruga që ndjekin autoritetet në Shqipëri për të hequr qafe hallexhinjtë. Fakti është që Shqipëria nuk ka një program efektiv të trajtimit të njerëzve në nevojë për banesë. Bashkitë kanë teorikisht një program të vockël përmes të cilit ofrojnë subvencionim qiraje për një periudhë të shkurtër, por edhe këtu, procedurat janë jashtëzakonisht të vështira dhe përfituesit e vetëm deri tani duket se janë pak familje të cilave u janë shembur banesat.

Shqipëria nuk ka gjithashtu ndonjë program ndihme për jetimët pasi këta të fundit dalin nga jetimoret.

“Ne këtu na ka sjellë shtëpia e fëmijës,” thotë njëri prej jetimëve te konvikti. “Kur mbush 16 vjeç, të sjellin këtu,” shtoi ai në kushtet e anonimatit.

Në gusht, disa ish-jetimë të cilët vijonin të jetonin në konvikt pavarësisht se e kishin mbaruar shkollën prej disa vitesh, u nxorën me dhunë nga policia bashkiake e Tiranës. Skena u filmua nga njëri prej tyre dhe u publikua në Facebook. Së paku një prej jetimëve u shoqërua për në komisariat formalisht nën akuzën e kundërshtimit të forcave të rendit. Por jetimët buzëqeshin kur tregojnë se një qen rruge e kafshoi një polic në këmbë.

Disa prej tyre vijojnë të jetojnë rrotull zonës së njohur si Qyteti i Nxënësve në Tiranë, ndërsa së paku një prej tyre ka mbetur endacak në Tiranë. Erjon Selimaj qe njëri prej tyre. Nga rreth 11 vetë të përzënë, vetëm një nënë me fëmijë raportohet se u strehuan te një institucion i quajtur Qendra Kombëtare e Emergjencave. Të tjerët janë efektivisht rrugëve.

Jetimët, të cilët i ka zënë halli të vijojnë të jetojnë në kushtet e mjera të një ndërtese të amortizuar përplot lagështi e kanë të vështirë të arrijnë t’u dëgjohet zëri.

Për momentin, autoritetet nuk e kanë zbatuar ende urdhrin për lirimin e mjediseve. Por për Selimajn, duket se dëshira për t’u dëgjuar e shtyu të hipë në vinç. Se sa do ta dëgjojnë autoritetet ankesën e tij për një farë trajtimi me banesë nga shteti të jetimëve pasi këta të fundit të dalin nga jetimorja, kjo mbetet për t’u parë.

“Ata që kanë mbetur këtu janë ose të sëmurë, ose me probleme të shumta,” tha për BIRN një nga banoret e konviktit. “Njerëzit nuk rrinë me qejf këtu, rrinë se nuk kanë ku të shkojnë”, shtoi ai./Birn/

d1_1476825518-7579684

d2_1476825518-1631745

d4_1476825518-354520

Temat
Lajme

Të afërta