Qeveria në Gjykatë, kundër Listës Srpska dhe për ndalimin e procedurave të likuidimit të “Trepçës”

Qeveria e Kosovës, sot ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese. Sipas kësaj kërkese, Qeveria do të mundohet të ndalojë të gjitha procedurat për likuidimin e ndërmarrjes “Trepça”.

Lajmin për dorëzimin e kërkesës në Kushtetuese e ka konfirmuar për Gazetën Express, Besnik Berisha, këshilltari i jashtëm për çështje të drejtësisë i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

“Po Qeveria e Kosovës tashmë e ka dorëzuar kërkesën për përgjigje ndaj kërkesës së parashtruar nga deputeti Slavko Simiq dhe të tjerët nga Lista Serbe, për të kundërshtuar pretendimet e tyre”, ka thënë Berisha.

Afati i fundit për dorëzimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese nga ana e ekzekutivit për caktimin e masës së përkohshme lidhur me likuidimin e “Trepçës”, përfundon të martën.

E Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka kohë deri para datës 2 nëntor që ta trajtojë lëndën e proceduar nga Qeveria e Kosovës si dhe atë të Listës Serbe për Ligjin mbi “Trepçën” dhe të japë interpretimin e parë ligjor (masën suspenduese) para datës 2 nëntor, pasi kjo datë është afati i fundit kohor kur “Trepça” mund të shkojë në likuidim, thonë ekspertë të çështjeve juridike dhe të ekonomisë.

mi4-841955_1476798451-1018480

Temat
Vend

Të afërta