Marrëveshja për drejtësi do të nisë të zbatohet shumë shpejt, zotohet Kosova në Bruksel

Në Bruksel sot është zhvilluar një takim bilateral për zbatimin e marrëveshjes së Drejtësisë mes delegacionit të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.
Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri, në këtë takim u angazhua që marrëveshja për drejtësi të fillojë zbatimin sa më shpejtë, bën të ditur një komunikatë qeveritare.

Delegacioni po ashtu njoftoi Bashkimin Evropian se Kosova ka bërë gjitha përgatitjet që të shtrihet sistemi unitar i drejtësisë edhe në veri të vendit, ku sipas marrëveshjes do të ketë një gjykatë themelore kompetente për shtatë komunat siç përcakton Ligji për Gjykatat, si dhe një Zyre Prokurorie dhe po ashtu konfirmoi se edhe aspekte tjera të marrëveshjes janë përgatitur për zbatim, njofton komunikata.

BE është njoftuar po ashtu se çështjet lidhur me emërimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ tashmë janë në fazën finale si dhe çështjet në lidhje me Gjykatën e Apelit, deri në përfundimin e këtij procesi Kosova mbetet e përkushtuar t’i rrumbullakësojë në bashkëpunim të plotë me Bashkimin Evropian.

Sipas komunikatës qeveritare, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian vlerësuan progresin e arritur nga ana e Kosovës në zbatim të marrëveshjes për drejtësi duke theksuar se do të angazhohen maksimalisht që ky proces të realizohet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe Marrëveshjes së Brukselit.

Ministrja Tahiri me këtë rast vlerësoi se marrëveshja për drejtësi ka rëndësi të madhe për Kosovën sepse ajo mundëson shtirjen e sovraniteti shtetëror në fushën e drejtësisë edhe në veri të vendit, që ka munguar një kohë të gjatë dhe se do të ndihmojë qytetarët atje për çështjet që kanë të bëjnë me drejtësi dhe po ashtu vlerësoi punën e grupit punues për drejtësi i cili tashmë një kohë është duke punuar me përkushtim për zbatimin efektiv të kësaj marrëveshje.

Temat
LajmeVend

Të afërta