‘Kërcënimi’ nga Greqia, Rama: Më sjellin një buzagaz të lehtë…S’kanë ç’forcë t’na tregojnë

Kryeministri Edi Rama foli për deklaratën e bërë nga ministria e Jashtme e Greqisë e cila erdhi si një kërcënim për Shqipërinë për çështjen çame.
“Mendoj që është një deklaratë për konsum të brendshëm, në opinionin publik grek dhe mua më ndjell një buzagaz të lehtë miqësor. Jemi dy vende anëtare të NATO-s, dhe siç e dimë ne e dinë dhe fqinjët tanë grekë, kështu që këto lloj deklaratash janë konsum i brendshëm që nuk është i panjohur në politikën greke dhe s’ka asnjë problem për ne. Nuk i marrim dot seriozisht si kërcënime, sepse unë nuk i konsideroj kërcënime, i konsideroj një shprehje vetëndjehjeje nga ana e fqinjëve tanë atje brenda. Por ne s’kanë çfarë force na tregojnë fare”, – tha Rama në “Studio e Hapur”.

Sa i përket ndërhyrjeve të qeverisë greke për koalicionin me PDIU-në, Rama tha se qeveria shqiptare nuk i merr leje Greqisë për këto gjëra.

“Ne jemi në Shqipëri dhe jemi këtu në lirinë dhe të drejtën tonë për tu futur e për të dalë në skenën politike si të duan. Kemi të drejtën tonë për të ndërtuar koalicionet që duam dhe nuk e imagjinoj dot që ne të kemi vërejtje se me kë bën koalicion në Greqi një X me një Y. Prandaj e kam thënë dhe e përsëris se çfarë bëjmë ne këtu me politikën tonë dhe me njëri-tjetrin nuk është një çështje ku presim këshilla apo presim vërejtje nga fqinjët tanë”, tha Rama.

Kërkesa keni pasur për mospërfshirjen e PDIU-së në koalicionin qeverisës?

Rama: Ka pasur një deklaratë që Ministria e Jashtme greke të kishte një opinion se kush u zgjodh nënkryetari i parlamentit në Shqipëri. A e imagjinoni dot ju që Ministria jonë e Jashtme të ketë një opinion dhe ta bëjë publik, duke shprehur rezervë për nënkryetarin e parlamentit grek, që unë as nuk e njoh dhe as kam fare kuriozitet ta di se kush është. Eshtë e njëjta gjë. Ne kemi ndërtuar një marrëdhënie simetrike me Greqinë dhe me të gjithë. Ne nuk jemi as superfuqi, as nuk mendojmë që jemi të veçantë dhe të tjerët duhet të na dëgjojnë dhe të na rrinë gatitu. Nuk i imponohemi askujt. Ne thjesht kemi një princip, brenda 28 mijë kilometrave katrorë të Shqipërisë vendosim ne. Dhe interesat tona nuk negociohen, as në Athinë, as në Beograd dhe asgjëkundi tjetër. Interesat tona negociohen këtu midis nesh.

Asnjë qeveri nuk ka pranuar një ministër çam, në kabinet. Ka qenë kërkesa e Athinës kjo apo jo?

Rama: Duhet të pyesni kryeministrat më parë nëse kjo ka qenë kërkesa e Athinës. Por unë di të them kaq, që kërkesa të tilla nëse ka pasur në të shkuarën, nuk mund të ketë në qeverinë time.

Temat
LajmeRajon

Të afërta