Edi Rama: Unë flas për Kosovën dhe për këtë nuk i marr leje askujt

Duke folur për vizitën e tij në Beograd, kryeministri Edi Rama është shprehur se kur flet për Kosovën nuk flet në emër të saj.

I ftuar në “News24”, Rama tha se nga reagimet në rrjetet sociale, vizita e tij në Beograd është marrë me pozitivitet, ndryshe nga gojët e liga që nisin e flasin për polemika artificiale.

I pyetur në lidhje me atmosferën se si u prit vizita e tij në Beograd në trojet tona, Rama tha: “Për sa i përket Beogradit mendoj që është hedhur një hap i mirë parapara duke rivendosur në qendër të vëmendjes çështjen e Kosovës dhe nga ana tjetër duke ndeshur një reagim ndryshe që nuk do të thotë se në anën serbe ka përparuar ideja e njohjes së pavarësisë, por do të thotë që është mirë që ne të imponojmë këtë normalitet që do të thotë një e vërtetë e jona e pakontestueshme të thuhet qartë dhe përherë edhe në mes të Beogradit. Duke i mësuar dhe ata, veshët e tyre me këtë të vërtetë që nuk janë mësuar ta dëgjojnë atje brenda dhe për më tepër të thënë publikisht”.

“Unë nuk shoh asnjë lidhje në këtë dualizim sepse pala shqiptare e Kosovës flet në emër të Kosovës. Unë nuk flas në emër të Kosovës por për Kosovën dhe këtë as nuk ma ndalon dot njeri dhe as është e nevojshme t’i marr dorën kujt nëse duhet të flas apo jo për Kosovën”, shtoi kreu I qeverisë kur u pyet nëse ishte pala kosovare e ftuar në Beograd.

Ndërsa i pyetur nëse ai i ka kërkuar palës serbe që Kosova të përfaqësohej në takimin e Nishit, Rama u shpreh: “Nuk është një çështje që më takon mua apo Shqipërisë. I takon Kosovës, lidershipit në Kosovë të përcaktojë modalitetet e gjithë procesit të dialogut dhe të përcaktojë nëse në një moment apo në një moment tjetër duhet të jetë apo jo prezente.

Tjetër gjë se çfarë mund të mendoj unë nëse do ta vija veten në vendin e tyre. Por unë nuk e vë veten në vendin e tyre sepse kam shumë respekt për faktin që sot Kosova është një shtet që është i i pavarur ka lidershipin e vet dhe ka të drejtën e plotë që në emrin e saj të flasë vetë. Unë nuk flas në emrin e Kosovës unë flas për Kosovën”./Shekulli/

Temat
LajmeRajon

Të afërta