Edi Rama arsyetohet para shqiptarëve të Kosovës: Në Serbi nuk fola në emër të Kosovës

Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë për vizitën e tij të pak ditëve më parë në Beogradin zyrtar dhe debatin që u hap më tej në Kosovë. Presidenti Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj reaguan fortë duke thënë se Prishtina nuk ka nevojë për Tiranën në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Kryeministri Edi Rama sqaroi në “Studio e Hapur” në News 24, se nuk ka folur në emër të Kosovës gjatë vizitës në Serbi, por ka folur për Kosovën. Ai shtoi se është mirë që Serbia të dëgjojë brenda territorit të saj teksa flitet për Kosovën.

“Për sa i përket Beogradit mendoj që është hedhur një hap i mirë parapara duke rivendosur në qendër të vëmendjes çështjen e Kosovës dhe nga ana tjetër duke ndeshur një reagim ndryshe që nuk do të thotë se në anën serbe ka përparuar ideja e njohjes së pavarësisë por do të thotë që është mirë që ne të imponojmë këtë normalitet që do të thotë një e vërtetë e jona e pakontestueshme të thuhet qartë dhe përherë edhe në mes të Beogradit. Duke i mësuar dhe ata, veshët e tyre me këtë të vërtetë që nuk janë mësuar ta dëgjojnë atje brenda dhe për më tepër të thënë publikisht. Unë nuk flas në emër të Kosovës, flas për Kosovën, dhe këtë nuk ma ndalon dot njeri dhe as duhet ti marr dorën dikujt nëse do të flas ose jo për Kosovën”, tha Rama.

Sa i përket faktit që nuk u përmend Prishtina në rrugën “Nish-Prishtinë-Durrës”, Rama tha këtë përgjigje: “Nuk kam parë në ndonjë dokument zyrtar që “Rruga e Paqes” të jetë Nish-Durrës. Është folur gjithmonë Nish-Prishtinë-Durrës. Këto janë muhabete njerëzish që i hapin punë vetes duke bërë patriotin. Kjo s’ka lidhje me përmbajtjen. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk është në funksion të favorizimit të Serbisë një politikë hapjeje, dialogu, bashkëpunimi me Serbinë, por është në funksion të interesit tonë”.

I pyetur se a i kërkoi palës serbe që Kosova të përfaqësohej në takimin e Nishit, kreu i qeverisë tha se “i takon lidershipit në Kosovë të përcaktojë modalitetet të gjithë procesit të dialogut, nëse një moment apo tjetër duhet të jetë apo jo prezent. Unë nuk e vë veten në vendin e tyre”.

“Tjetër gjë se çfarë mund të mendoj unë nëse do ta vija veten në vendin e tyre. Por unë nuk e vë veten në vendin e tyre sepse kam shumë respekt për faktin që sot Kosova është një shtet që është i i pavarur ka lidershipin e vet dhe ka të drejtën e plotë që në emrin e saj të flasë vetë”, shtoi shefi i mazhorancës shqiptare.

Debatin e hapur për deklaratat për Kosovën, Rama e quajti polemikë artificiale.

Gjatë vizitës në Serbi kryeministri Rama mori pjesë në forumin e sigurisë, inauguroi librin e tij “Kurban” në gjuhën serbe, si dhe pati një takim me shqiptarët e Preshevës. /Gazeta Express/

Pjese nga intervista

A i kërkuat ju palës serbe që Kosova të përfaqësohej në takimin e Nishit?

Nuk është një çështje që më takon mua apo Shqipërisë. I takon Kosovës, lidershipit në Kosovë të përcaktojë modalitetet e gjithë procesit të dialogut dhe të përcaktojë nëse në një moment apo në një moment tjetër duhet të jetë apo jo prezente. Tjetër gjë se çfarë mund të mendoj unë nëse do ta vija veten në vendin e tyre. Por unë nuk e vë veten në vendin e tyre sepse kam shumë respekt për faktin që sot Kosova është një shtet që është i i pavarur ka lidershipin e vet dhe ka të drejtën e plotë që në emrin e saj të flasë vetë. Unë nuk flas në emrin e Kosovës unë flas për Kosovën.

Dhe kur flisni për Kosovën, a flisni dhe për gjëra utilitare, siç janë disa elementë të rëndësishëm për vetë kosovarët që ata vetë i kanë renditur siç janë: mospengimi i kalimit nga Kosova në Serbi nëpërmjet Merdares p.sh. i të gjithë shtetasve të tjerë përveç kosovarëve vetë, duke qenë se e trajtojnë kështu një çështje të brendshme ende Kosovën, serbët; pjesëmarrja në CEFTA, prefiksi telefonik i Kosovës, linja e interkonjeksionit, i keni bërë këto biseda me Vuçiç, a po ndihmoni për këto? A po thjesht kërkoni një njohje?

Patjetër, sigurisht që unë i bëj të gjitha bisedat që janë në interes jo thjesht të Kosovës por janë në interes edhe të Shqipërisë por janë në interes edhe të Serbisë sepse për mua duhet bërë çmos që të insistojmë në principin që çdo gjë e mirë që ndodh në njërin nga vendet është një e mirë që ndodh për çdo vend. Edhe vetë momenti i bllokimit të linjës së interkonjeksionit që në fakt është pasojë e një fakti tjetër që përpara se të çelet linja, Kosova duhet të anëtarësohet në agjencinë evropiane të shpërndarjes së energjisë. Është trajtuar nga unë si një nevojë reciproke e Shqipërisë dhe Kosovës por edhe si nevojë në një proces të fuqizimit të lidhjeve të bashkëpunimit ekonomik rajonal.

Ata që ju akuzojnë zoti Rama, pak a shumë kanë këtë argument që në fakt ka një logjikë të vetën se mënyra se si sillet zoti Rama në Beograd me ato që çfarë deklaron për Kosovën i shkon për shtat tezave serbe, të cilat duan ta cilësojnë Kosovën një çështje të tyre të brendshme dhe në fakt marrëdhëniet me shqiptarët, ta kenë me Tiranën zyrtare, me Edi Ramën. Ju pse heshtët kur u deklarua për Nish-Durrës pa përmendur Prishtinën?

Asnjëherë nuk kam parë në ndonjë dokument zyrtar që rruga që kryeministri serb e quan “Rruga e Paqes” të jetë Nish-Durrës, gjithmonë është folur Nish-Prishtinë-Durrës, gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë. Këto janë muhabete njerëzish që i japin punë vetes duke bërë patriotin profesionist dhe këto nuk kanë asnjë lidhje me përmbajtjen për të cilën duhet të jemi të gjithë të interesuar.

Cila është përmbajtja zoti Rama? Përmbajtja është që ne duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk është në funksion të lehtësimit apo të favorizimit, apo të çfarëdoni ta quajmë të Serbisë, një politikë hapje, dialogu bashkëpunim me Serbinë por është në funksion në radhë të parë të interesit tonë, të interesit të qytetarëve tanë në Shqipëri dhe në Kosovë. Sepse ne nuk e rrisim dot aq sa për të bërë një kapërcim të madh ciklik ekonominë tonë as në Shqipëri as në Kosovë në rast se nuk e shikojmë rajonin si një treg të përbashkët. Ne mund të rritemi me 3.5 % këtë vit. Është shumë në krahasim me zero presje diçka me ku e gjetëm ekonominë. Mund të rritemi dhe me 4% por na duhet patjetër të shkojmë përtej 5% për të pasur një ekonomi e cila e impakton drejtpërdrejt në mënyrë të ndjeshme familjen dhe buxhetin e familjes.

Një treg por secili me identitetin e vet, kështu të paktën deklaron pala kosovare. Çfarë i konsideroni deklaratat e ministrit të jashtëm. Nuk më rezulton që në tregun e përbashkët gjermanët, francezët apo të tjerët të kenë humbur identitetin e tyre, përkundrazi.

Por Kosova do ta negociojë vetë pjesën e vetë në këtë treg. Kjo është ajo dhe të mos bëjë Rama lidershipin e rajonit. Nuk bëj unë dhe nuk bën qeveria shqiptare asnjë negociim në emër të Kosovës e përsëris prapë. Unë përfaqësoj qeverinë shqiptare dhe vullnetin tonë të palëkundur për të çelur një kapitull të ri në rajon duke i hapur rrugë një transformimi politik në funksion të një transformimi ekonomik dhe social. Është interesi i fëmijëve tanë, në Shqipëri në Kosovë dhe fëmijëve në Serbi. Nuk mund të vazhdojnë të ushqehen popujt tanë me plagët e së shkuarës. Ne duhet jo vetëm të projektojmë të ardhmen por të bëjmë çmos që e ardhmja të jetë nesër jo pas 100 vjetësh.

A kemi sot ne një problem me qeverinë e Kosovës? Duke iu kthyer sërish deklaratave të ministrit të jashtëm. A janë ato deklarata zyrtare, sepse nuk besoj se është përgjigjur në titull personal… Ne nuk kemi asnjë problem me qeverinë e Kosovës. Ne nuk kemi problem me lidershipin e Kosovës dhe unë as nuk i marr fare shënim deklarata momentale që janë shprehje emocionale dhe me thënë të drejtën mungesë thellimi në përmbajtjen e një momenti të caktuar.

A keni pasur konsultime me kryeministrin e Kosovës përpara Forumit të Nishit ose pas këtyre polemikave? Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, s’kemi asnjë problem të kësaj natyre dhe unë s’kam asnjë arsye të them që kryeministri apo presidenti i Kosovës janë në ndonjë korsi që divergon sadopak nga korsia jonë. Jemi plotësisht të njehsuar. Sigurisht secili në detyrën e vet. Unë nuk kam marrë përsipër dhe nuk do marr kurrë përsipër të bëj detyrën e udhëheqësve të Kosovës. Unë kam marrë përsipër të bëj detyrën e kryeministrit të Shqipërisë.

Keni marrë përgjigje për çështjet që sipërpërmendëm, linjën e interkonjeksionit, kalimin në Merdarë… Mos harrojmë një gjë që unë e kam diskutuar linjën e interkonjeksionit me kryeministrin serb në Paris, e kam diskutuar në Beograd. Por në të njëjtën kohë në Sarajevë ministri ynë i Energjisë e ka ngritur problemin në tryezën e komitetit të energjisë dhe ka një deklaratë zyrtare që i kërkon Serbisë që të zgjidhë problemin deri në 31 dhjetor. Pra, ne i përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion…

Por çështjet janë ende pezull, apo jo? Ato që përmenda të paktën… Sepse është një proces i vërtetë paqeje dhe nuk është një proces i lehtë, sepse po të ishte i lehtë nuk do ishte një proces paqeje. Ju e mbani mend shumë mirë që dy vjet më parë për një balonë që kaloi në stadium u duk sikur këtu do plaste lufta e tretë ballkanike. Ka rrugës momente që janë sensitive për të dyja palët. Por një gjë është e sigurt, që sa më shumë ne të flasim, sa më shumë shqiptarët të flasin me serbët, aq më shumë shanse ka që problemet të zgjidhen. Nëse rrimë duke i bërë gola njëri-tjetrit, atëherë faktikisht nuk ka fitimtarë në funksion të projektit të transformimit të rajonit në një treg të përbashkët.

A jeni ju i gatshëm, përveçse për të folur për Kosovën siç thatë deri tani dhe jo në emër të saj, edhe ta ndërmjetësoni Kosovën që ajo të jetë pjesë e tavolinave ku ju jeni? Nuk ka nevojë Kosova për mua si ndërmjetës, sepse procesi i dialogut ka në krah, apo në të dyja anët Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Unë nuk marr përsipër t’i jap askujt këshilla të pakërkuara. Kemi pasur patjetër momente me udhëheqësit në Kosovë ku kemi diskutuar, jem i konsultuar por në terma jashtëzakonisht miqësorë, informalë si midis vëllezërish për një çështje që na intereson të gjithëve.

Pse Ivo Andriç për citatologji? Pse jo?

Pse jo Qosja, Kadare, Rugova? Tani kjo është…

Sepse është antishqiptar… Këto janë dokrra hini si puna e Goran Bregoviçit që pse Goran Bregoviçi duhet të merrte çelësin e qytetit.

Nuk është e njëjta gjë, se në fund të fundit Bregoviç ishte një këngëtar, ky ka qenë ambasador, një shkrimtar…

Është një muzikant i madh dhe përsëri në funksion të faktit që ne shqiptarët kur miku vjen në shtëpi nuk e pyesim për biografinë. Kështu thotë të paktën Kushtetuta jonë e parë, Kanuni. Kështu që këta patriotët e mëdhenj që rrinë qëmtojnë si ata censorët e kohës së Enverit dhe të Titos mbi detaje që nuk kanë pikë rëndësi bëjnë mirë të marrin e të lexojnë kanunin.

Ç’lidhje ka kanuni me Ivo Andriç që njihet për tezat e tij antishqiptare… Fola për pjesën e parë. për sa i përket referimit tek Andriçi, unë iu referova një shkrimtari të madh serb dhe nuk citova ndonjë frazë antishqiptare por një frazë shumë aktuale për procesin ku ne jemi ku ai thotë “Ka një hapësirë të errët midis frikës dhe shpresës dhe shumë njerëz e kalojnë jetën në këtë errësirë. Duke shkuar drejt shpresës ne mund të dalim nga errësirat”.

Do ta rizgjidhnit edhe pas sensibiliteteve që krijoi? Nuk jam nga ata që pendohem për gjërat që i bëj me zemër. S’kam asnjë arsee të gjykoj se pse njeri mendon kështu, pse njeri mendon ashtu. Shyqyr që ka njerëz që mendojnë krejt ndryshe nga unë sepse po të ishim të gjithë dakord do ishim në një sistem tjetër që nuk është sistemi që kam dashur ndonjëherë, por ama unë jam unë, ata janë ata.

Mund të kishte edhe shkrimtarë tjetër po aq të famshëm, jo antishqiptarë, që kanë prodhuar aq shumë teza për asimilimin e shqiptarëve, pushtimin e Shkodrës… Nëse do bëja një referat për letërsinë…

Ju jeni kryeministri i Shqipërisë. Nëse do bëja referat për letërsinë atëherë po. Por kjo lloj kapje pas hijeve të së shkuarës për të nxjerrë përfitime sot është një profesion në Shqipëri dhe Kosovë.

Si quhet? Është profesioni i patriotit. Këta janë patriotë profesionistë që nxjerrin bukën duke u marrë me këto dokrra. Këto mua nuk më interesojnë.

Temat
LajmeVend

Të afërta