Dëshmon prifti: Si bëri “be” mbi varr ish-deputeti Frroku për vrasjen e Aleksandër Kurtit

Ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Mark Frroku i cili është duke u gjykuar për vrasjen e një shqiptari në vitin 1999 në Belgjikë, është betuar para familjes së Aleksandër Kurtit se nuk ka lidhje me vrasjen e tij. Këtë fakt e dëshmoi sot në gjykatë prifti Gjovalin Suka, në seancën e radhës që mbahet ndaj ish-deputetit.
Dom Gjovalin Suka, ish-administrator i Famullisë ‘Shën Shtjefni’ në Shkodër ka dëshmuar se familja Frroku është betuar në kishë pas dyshimeve në atë kohë se Mark Frroku kishte vrarë Aleksandër Kurtit në Belgjikë. Dëshminë e tij prifti Gjovalin Suka e bazon mbi informacionet që ka mësuar nga At Mikel Pëllumbaj, i cili është prifti përpara të cilit ka kryer betimin familja Frroku, tek Kapela e Varrezave të Majit.

Betimin Frroku e ka bërë në mars të vitit 2013 kur ai shpalli kandidaturën për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, nën siglën e kristiandemokratëve.

Në dosjen hetimore të prokurorisë thuhet se ceremonia është organizuar varrezat e vjetra katolike të qytetit të Shkodrës, të quajtura Rrmajet, ku sipas të drejtave zakonore konsiderohet ceremoni “Be-je”. Në këtë ceremoni, ku ndodhet edhe varri i të ndjerit Aleksandër Kurti, kanë qenë të pranishëm edhe dy priftërinj, ndërsa kanë refuzuar të marrin pjesë të afërm të viktimës.

“Për ceremoninë e bërjes së ‘Be’-së është mbajtur edhe akti i saj, i cili është administruar nga Prokuroria e Përgjithshme në funksion të këtij hetimi. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe i pandehuri Kristjan Marinaj, shtetasi Lekë Qafa, që është babai i të dënuarit nga drejtësia belge, Bib Qafa, si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti. Ndërkohë, rezulton se në këtë ceremoni nuk ka marrë pjesë shtetasi Aleks Vukaj dhe as familja e tij. Edhe shtetasi Vukaj është dënuar nga drejtësia belge si bashkëpunëtor në të njëjtin krim”, thuhet në dosjen hetimore të Prokurorisë.

Ndërkohë në 28 mars të 1999-ës është mbajtur edhe “mbledhja e baballarëve”, ku të gjithë baballarët e autorëve të dyshuar, përfshi edhe babain e Mark Frrokut, janë paraqitur para familjes së viktimës. Pas kësaj mbledhje, sipas Kanunit, familja e viktimës, vendos të ushtrojë ose jo më pas të drejtën e gjakmarrjes.

Temat
LajmeRajon

Të afërta