Tahiri: Serbia e din kushtin, duhet ta njohë Kosovën

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se Serbia e din mirë se pa njohur pavarësinë e Kosovës nuk mund ta përmbushë kushtin për fqinjësi të mirë.

“Bashkimi Evropian bën vlerësimin e gjendjes, për problemet që ka krijuar Serbia. Po ashtu është edhe më e gjerë kërkesa në kapitullin 35 që t’i normalizojë marrëdhëniet me fqinjësore me Kosovë. E ky kapitull përfundon me njohjen reciproke të të dyja shteteve. Raporti që kemi bërë ne ka qenë objektiv dhe BE i ka bërë analizat e veta”, tha Tahiri, në Info Magazine në Klan Kosova, duke folur për deklaratën e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Gjuriq ka thënë se është e palejueshme që raporti i Edita Tahirit për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit është futur në kornizën e bisedimeve për kapitullin 35.

Sipas Tahirit, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk është në krizë.

“Ka disa tensione pas arrestimit të zyrtarit të Policisë, Nehat Thaçi. Dialogu teknik vazhdon. Këtë javë do të kemi takime, ne e kemi konfirmuar pjesëmarrjen”, tha ajo.

Tahiri ka folur edhe për deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Forumin për Siguri në Beograd ku ka debatuar me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq për Kosovën.

“Ne i besojmë Qeverisë së Shqipërisë, ata kanë njohur pavarësinë tonë, ka lobuar për njohje. Sa unë e kam parë Edi Rama nuk ka folur në emër të Kosovës. Ai ka kërkuar nga Serbia që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ne jemi sovran, këtë e din edhe Shqipëria edhe Serbia”, tha ajo.

Tahiri ka deklaruar kështu në një lidhje telefonike në Info Magazine në Klan Kosova ku ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Rama ka obligime ndaj Kosovës.

“Edi Rama mendoj ka obligime ndaj Kosovës, të punojë që t’i sjell njohje dhe ta përfaqësojë Kosovën aty ku ne nuk jemi prezent. Ne jemi sovran kemi institucionet tona”, tha Tahiri./Klan Kosova/

Temat
LajmeVend

Të afërta