Nënshkruhet kontrata për targat, më në fund

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik ka publikuar vendimin e shumëpritur, në lidhje me aktivitetin e prokurimit “furnizim me targa për regjistrim te automjeteve”, njofton Klan Kosova.

Paneli i OShP-së, me Vendim unanim, ka vërtetuar Vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me aktivitetin e prokurimit “furnizim me targa për regjistrim të automjeteve” dhe ka autorizuar MPB-në për vazhdimin e procedurave të mëtutjeshme, që nënkupton nënshkrimin e kontratës.

MPB-ja ka filluar të gjitha procedurat dhe sot, e hënë, është nënshkruar kontrata me operatorin ekonomik, dhe të gjithë sektorët relevantë po zhvillojnë procedurat me prioritet dhe pa vonesë.

“Bazuar në obligimet kontraktuese, operatori ekonomik është i obliguar që jo më vonë se 30 ditë të dorëzojë në MPB sasinë e kërkuar të targave”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

“Po ashtu, njoftojmë publikun se të gjithë qytetarët që kanë aplikuar, për regjistrim të parë, dhe janë pajisur me targa prova, ata do të paguajnë vetëm taksën e mbetur prej 5 (pesë) euro, pra nuk ngarkohen me pagesa tjera”.

Temat
LajmeVend

Të afërta