Milazim Krasniqi kritikon Ramën: Me kosovarët veprove si Zogu, Hoxha dhe Nano

Analisti dhe profesori, Milazim Krasniqi, ka reaguar pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Serbi. Ai e ka kritikuar qasjen e Ramës ndaj kosovarëve, që sipas tij, mund të jenë minorë. Krasniqi po ashtu kritikon Ramën pas citimit të Ivo Andriqit, projektuesit të zhbërjes së Shqipërisë dhe largimit me dhunë të shqiptarëve të Kosovës drejt Turqisë.

“Kapardisja e Edi Ramës në Beograd, ku gjeti kohë edhe për një mesazh përbuzës ndaj “kosovarëve”, (përdorimi në shumës i emrit të Petrit Selimit, sugjeron se të gjithë demek janë minorë) është brenda shemës që ka pasur politika e Shqipërisë në vazhdimësi. Kështu kanë bërë edhe Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Fatos Nano. Zogu qëroi hesapet me irredentistët “kosovarë”, Enver Hoxha me ballistët “kosovarë”, ndërsa Fatos Nano në Kretë provoi të minimizonte rolin e independentistëve “kosovarë”, me Rugovën në krye”, thekson Krasniqi.

Sipas tij, kulmi i turpit të Edi Ramës është të cituarit e Ivo Andriqit, projektuesit të zhbërjes edhe të Shqipërisë!

“Edhe ky rast tregon atë që dihet moti: politika pa mendim të përpunuar është si shpupurishja e pulave në pleh, tek kërkojnë qorrazi ndonjë kokërr. Në rastin më të keq, bëhet si shkërryerja e derrave në një baltovinë”, përfundon Krasniqi.

Temat
Përgjithshme

Të afërta