Thaçi uron sekretarin e ri të OKB-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar të zgjedhurin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, si sekretar i përgjithshëm i ardhshëm i Kombeve të Bashkuara.

“Jam shumë i kënaqur që përvoja e gjatë e sekretarit të ardhshëm të OKB-së dhe përpjekjet e palëkundshme të tij për të siguruar mbështetje dhe kujdes për refugjatët në mbarë botën, për të mobilizuar asistencën ndërkombëtare për të zhvendosurit, janë vlerësuar nga të gjithë. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për të punuar me sekretarin e zgjedhur António Guterres dhe Kombet e Bashkuara për të mirën e paqes dhe prosperitetit në mbarë botën”, ka thënë ai.

Gjithashtu, numri një i Kosovës e ka vlerësuar lart edhe kontributin personal të sekretarit të zgjedhur, António Guterres, në vitin 1999 për çlirimin e Kosovës.

“Bota përballet me një numër të madh të sfidave të cilat kërkojnë që Kombet e Bashkuara të qëndrojnë të forta në përpjekjet e tyre”, ka thënë ai.

Sekretarit të zgjedhur të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, Thaçi i uron suksese në kryerjen e detyrave të rëndësishme në pozicionin e tij të ri, transmeton Klan Kosova.

okb

Temat
LajmeVend

Të afërta