Shkarkimi i shefit të QKMF’së në Gjakovë – konstatohen shkeljet

Bajram Kadrija ishte emëruar kryeshef në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, në prill të 2013’ës. Por, pak muaj më pas ai u shkarkua nga kjo detyrë me vendim të drejtoreshës së kësaj QKMF’je, Violeta Xërxa.

Kadrija kishte insistuar nga ajo kohë se shkarkimi i tij ishte jo i drejtë, e këto pretendime pas tri vitesh i ka konstatuar edhe Avokati i Popullit. Nëpërmjet një letreje që i ka dërguar drejtoreshës Xërxa, kryetares së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila dhe Ministrit të Punës Arban Abrashi, avokati konstaton për shkelje të ligjit për punë dhe të drejtave themelore në rastin e ish-kryeshefit gjakovar të mjekësisë familjare.

Lidhur me këtë çështje, Avokati i Popullit, i ka adresuar një varg kritikash për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, kryetares së Gjakovës, për Ministrin e MPMS’së, si dhe Gjykatës Themelore në Gjakovë, shkruan Gazeta Express.

Avokati Popullit madje ka thënë se kryetari i Gjykatës Themelore nuk ka vepruar në procedurë të rregullt lidhur me rastin e ish krye shefit si dhe Gjykata në rastin e tij nuk ka vepruar sipas mendimit juridik.

Ndërkohë që Bajram Kadrija me kualifikim mjek i përgjithshëm që nga viti 1993 ka punuar si mjek specialist pediatër në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.

Më 30 prill të vitit 2013 Kadrija emërohet në pozitën e kryeshefit të Departamentit të Mjekësisë Familjare në këtë komunë me mandate tre vjeçar, pas konkursit i cili u shpall lidhur me këtë pozitë më 12 prill të 2013’së,

Por këtë pozitë Kadrija nuk mundet ta shijojë gjatë. Kjo pasi për këtë konkurs ishin dhënë ankesa nga Asociacioni i Mjekëve Familjar dega në Gjakovë duke kërkuar kështu anulimin e tij si dhe shkarkimin nga pozita e kryeshefit të Qendrës Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjakovë, Bajram Kadrijës.

Por Kadrija e pa si shkelje shkarkimin e tij, dhe lidhur me procesin ushtron padi në vitin 2014 pranë Gjykatës Themelore në Gjakovë kundër Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë qytet dhe udhëheqëses së saj Violeta Xërxa Thaçi, për prishje të aktvendimit për emërimin e tij si kryeshef. Lënda lidhur me shkarkimin e tij në vitin 2015 shkoi edhe në duart e kryeministrit të vendit, shkruan Gazeta Express.

E pas ankesës së Kadrijajt, Inspektorati i Punës në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale merr vendim që ankesa e ish kryeshefit është e bazuar si dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjakovë ka bërë shkelje të Ligjit të punës për shkarkimin e tij.

Ndërkohë që lënda rreth shkarkimit të tij ka shkuar edhe në duart e kryeministrit të vendit. KPMSHCK, më 3 mars të vitit të kaluar e ka njoftuar kryeministrin Mustafa lidhur me moszbatimin e vendimeve nga ana Komunës së Gjakovës, si dhe kërkon të ndërmerren masa disiplinore ndaj personave që kishin obligim ligjor për ekzekutimin e vendimeve.

Ndërkohë që lidhur me këtë çështje është angazhuar edhe zyra e Avokatitit të Popullit. Kjo e fundit ka konstatuar se lidhur me shkarkimin nga puna të kryeshefit Bajram Kadrija, komuna e Gjakovës ka vepruar në kundërshtim me ligjin si dhe ka shkelur të drejtat themelore të njeriut.

Temat
LajmeVend

Të afërta