Rama me shqiptarët e Luginës së Preshevës: Vuçiç, njeri i predispozuar për të ofruar zgjidhje

Kryeministri Edi Rama, gjatë qëndrimit në Serbi është takuar me përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me të cilët ka bërë një bilanc mbi çfarë ka ecur pozitivisht dhe çfarë nuk ka ecur me nevojat e banorëve të Luginës.
Pas takimit, Kryeministri Edi Rama dhe Riza Halimi, Kryetari i PDV, kanë dhënë një deklaratë për mediat e pranishme.

Riza Halimi: Ishte një takim i shkëlqyeshëm, praktik, për problemet jetësore që ballafaqohen shqiptarët në Luginën e Preshevës, edhe nga arsimi dhe nga aspekti ekonomik. Ishin propozime shumë konkrete të Kryeministrit të Shqipërisë, që me anë të vëllazërimit të komunave të Shqipërisë me ato në Preshevë, Bujanovc, Medvegj etj., të ketë një stimulim edhe për një zhvillim të këtij rajoni, por dhe një bashkëpunimi konkret të ministrive të Arsimit në Beograd dhe Tiranë të zgjidhen problemet e ndeshura siç janë ato të teksteve mësimore, por dhe problemet aktuale si nostifikimi, edhe pse në aspektin politik nuk ka problem kur janë në pyetje diplomat nga Shqipëria dhe Maqedonia, por ka nevojë për një përshpejtim të këtij procesi që të rinjtë tanë që kryejnë studimet në Tiranë, në Tetovë, në Shkup, të kenë mundësi të punojnë sa më shpejt. Kjo ishte esenca e këtij takimi dhe besoj se takimet e kryeministrave Vuçiç dhe Rama japin një kontribut për stabilizimin e rajonit dhe për hapjen e perspektivave për një jetë më normale për qytetarët në tërë rajonin e Ballkanit.

Kryeministri Rama: Bëmë një bilanc të gjërave, lidhur me çfarë ka ndodhur si zhvillim pozitiv nga hera tjetër e takimit tim me Kryeministrin në Beograd, dy vjet më parë dhe çfarë nuk është zhvilluar me shpejtësinë dhe me nevojat paralelisht të shqiptarëve të gjithë Luginës. Është një fakt pozitiv dhe nuk ka diskutim që është një hap i rëndësishëm përpara, zhvillimi me diplomat. Tanimë nuk ka asnjë pengesë me njohjen e diplomave dhe kjo, siç edhe dëgjova, shënon dhe një hap në drejtim të ndërtimit të një besimi reciprok për të bashkëjetuar sa më normalisht.

Patjetër që është shumë pozitiv fakti që më në fund po zhvillohet infrastruktura kryesore që lidhet me segmentin lidhës mes Serbisë dhe Maqedonisë, që do të afektojë pozitivisht dhe Luginën. Patjetër që është e domosdoshme të zgjidhet problemi i teksteve, ku ka një vullnet pozitiv, por duhen adresuar disa çështje në aspektin teknik. Ndërkohë nga ana tjetër duhet të formalizojmë konkretisht një proces, për të cilin jemi përgatitur, të binjakëzimit të komunave në Luginë me disa nga bashkitë tona, për të promovuar projekte të përbashkëta, duke shfrytëzuar dhe eksperiencën pozitive të Rilindjes Urbane në Shqipëri dhe duke marrë pjesë, bashkë me faktorë të tjerë, në adresimin e disa nevojave bazike për kopshtet, për çerdhet, për mjediset sportive të shkollave, që u parashtruan këtu nga kryetarët e komunave.

Më vjen mirë që për përfaqësuesit e Luginës, këto zhvillime në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë dhe mes dy qeverive tona konsiderohen shumë të shëndetshme dhe me influencë shumë pozitive të drejtpërdrejtë në zonën e banimit të shqiptarëve. Patjetër që ka vend për të bërë më shumë, por më vjen mirë që në bisedën kokë më kokë me Kryeministrin Vuçiç pashë një njeri shumë të predispozuar për të adresuar një nga një të gjitha problematikat që kërkojnë jo thjesht vullnet politik, por dhe zgjidhje nga pikëpamja teknike dhe administrative, – gjë që ma konfirmuan dhe miqtë e pranishëm, – nga takimi që kam pasur më parë me Kryeministrin, i cili është angazhuar dhe përpara tyre për të çuar përpara një proces, ku sigurisht nuk mund ta fshehim se ka shumë boshllëqe për të mbushur e ka shumë hije të së shkuarës për të pastruar e për të lënë pas.

Qeveria jonë ka qënë që ditën e parë e qartë në këtë qasje dhe e vendosur që të çeli një kapitull të ri dhe në marrëdhëniet e shqiptarëve të Luginës me shtetin amë. Ne do të vazhdojmë me vullnet të mirë dhe të plotë që të promovojmë ndërtimin e urave, qoftë mes Tiranës dhe Luginës, qoftë mes Beogradit dhe Luginës, duke vazhduar të ndërtojmë dhe ura mes Tiranës dhe Beogradit, që i shërbejnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shqiptarëve të luginës.

Temat
Rajon

Të afërta