Krimi e ndjek mbrapa

Hashim Thaçi nuk heziton të ndërhyjë në punën e organeve të drejtësisë, duke kërkuar që t’i hetojnë krimet. Për zbardhjen e krimeve bën thirrje njeriu, i cili nuk i ka luftuar as krimin, as korrupsionin por, përkundrazi, i ka kultivuar ato. Njeriu, të cilin krimi e ndjek mbrapa

Ditën kur ndaj tij u publikuan akuza të rënda nga ish-guvernatori i vendit, Hashim Thaçi zgjodhi të mbajë një konferencë për media, të parën prej se është bërë president. Ai nuk po bënte thirrje për hetimin pretendimeve të ngritura nga Hashim Rexhepi, por po tregonte se si Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës ia kishte dërguar katër letra, nëpërmjet të cilave po kërkonte zbardhjen e krimeve të ndodhura në Kosovë.

Përderisa po iu fliste gazetarëve për krime të luftës dhe të pasluftës, stafi i tij nuk i lejuan ata të bëjnë asnjë pyetje. Në këtë mënyrë Thaçi, duke shkelur të drejtën e lirisë së shprehjes, po iu kërkonte organeve të drejtësisë të shpreheshin dhe të punonin për zbardhjen e krimeve.

Nuk do të duhej konsideruar asgjë e jashtëzakonshme që i pari i një shteti të shfaq interesim për diçka të tillë. Por, kur bëhet fjalë për Hashim Thaçin atëherë gjithçka ndryshon, sepse zbardhjen e krimeve e kërkon ai që krimi e ndjek mbrapa. Sepse në këtë mënyrë ai po ndërhyn në punën e organeve të drejtësisë, duke provuar t’u tregojë prokurorëve se çfarë duhet të bëjnë dhe si duhet të veprojnë. Sepse kjo nuk është gjë tjetër veç një lojë e tij, në përpjekje për të përfituar politikisht e personalisht.

Hashim Thaçi ka qenë një ndër lojtarët kyçë politikë në vend që nga paslufta. Ashtu siç ka qenë një ndër njerëzit kryesorë të luftës. Në qoftë se ka njeri që do të duhej të dinte gjithçka për çfarëdo që ka ndodhur në Kosovë, ai është Hashim Thaçi. Në qoftë se ka njeri që do të duhej të jepte më së shumti përgjegjësi për çfarë ka ndodhur në Kosovë, ai është Hashim Thaçi.

Dy mandate kryeministër, ai qeverisi me Kosovën si të ishte pronë private e tij. Vendi ashtu vazhdon të qeveriset edhe tash, sepse rrjeti i shtrirë gjithandej nëpër institucione mbetet i fortë. Sa e sa vrasje pas përfundimit të luftës nuk janë zbardhur asnjëherë, sa e sa krime të tjera kanë ndodhur, e Thaçi nuk ka bërë asgjë. As ka ngritur zërin që fajtorët të gjenden dhe të ndëshkohen.

Sa e sa krime madje i kanë kryer edhe eksponentë të partisë së tij. PDK është subjekti politik me numër të madh të dënuarish për krime – që nga kryetarë komunash, deri te deputetë e drejtues institucionesh. E tash për zbardhjen e krimeve bën thirrje njeriu, partia e të cilit e ka ushqyer krimin e korrupsionin, partia e të cilit krimin e korrupsionin i ka pasur mënyrë jetese, partia e të cilit identifikohet me krim dhe korrupsion.

Tash për zbardhjen e krimeve bën thirrje njeriu i cili nuk i ka luftuar as krimin, as korrupsionin, njeriu i cili me qasjen e tij ka penguar organet e drejtësisë që të kryejnë punën si duhet, njeriu i cili në prag të fuksionalizimit të Gjykatës Speciale po bën çmos që të shfaqet paqësor e i përkushtuar për vënien e drejtësisë në vend.

Në paraqitjen e tij para mediave, Hashim Thaçi kërkoi që të zbardhet edhe atentati ndaj presidentit Ibrahim Rugova. Ai po e përmendte atentatin ndaj njeriut, luftimin e të cilit e kishte mision dhe për ndëshkimin e të cilit bënte thirrje dikur. Për të gjallë të Rugovës, Thaçi nuk ia doli asnjëherë të vijë në pushtet, e kur erdhi, provoi të shfaqej krejt tjetër, duke ia vizituar shpesh edhe varrin.

Por, Thaçi nuk përmendi dhjetëra veprimtarë të LDK’së, të cilët u vranë në rrethana të pasqaruara pas luftës. Këto vrasje rrinë si hije e zezë mbi kokat e të gjithë atyre që mundën të ndihmonin që ato të zbardhen, por nuk deshën. Një ndër ta është edhe Thaçi.

Vetëm dy-tre zyrtarë të LDK’së reaguan pas deklaratës së presidentit që e zgjodhën vetë. Mbase edhe nuk kanë çfarë të thonë, sepse tash LDK e ka pushtetin, por nuk po bën gjë që kriminelët të zbulohen e të ndëshkohen. Më e pakta që do të duhej bërë është që Thaçit t’ia thonin në fytyrë se nuk kishte pse derdh lot krokodili për këto vrasje. Por, këto nu ka kush ia thotë. LDK është kthyer në patericë të tij, për realizimin e qëllimeve të tij.

Edhe një letër e pestë i mungon katërshes së dërguar nga Thaçi Prokurorit të Shtetit. Një letër, nëpërmjet të cilës do të kërkohej që të hetohej vetë ai, për të gjitha pretendimet e ngritura vite me radhë. Një letër që kërkon nga organet e drejtësisë të merret me protagonistin e ngjarjeve të luftës dhe pas saj. Protagonistin e krimit e të korrupsionit.

Temat
Vend

Të afërta