Arrestohet pjesëtari i sigurimit të Komunës së Tetovës, komuna hesht

Është arrestuar në Tetovë i punësuari si sigurim në Komunën e Tetovës, i cili ka pasur fletë-arrest qendror dhe ndërkombëtarë për mbajtjen e burgut prej 5 vjetëve, për kryerjen e veprës penale “marrje peng”, njofton Portalb

“Sot, gjatë mesditës është arrestuar 38 vjeçari A.B. nga fshati Bogovinë i Tetovës, i cili ka qenë i gjykuar për mbajtje të burgut prej 5 vjetëve.

Pas arrestimit dhe mbajtjes së shkurtër, të realizuar me urdhër gjyqësor, ai është dorëzuar në Burgun e Idrizovës për mbajtjen e dënimit me burg. Personi në fjalë është kërkuar për veprën “marrje peng” dhe për të ka pasur të lëshuar fletë-arrest qendror dhe ndërkombëtar”, tha për Portalb, zëdhënësi i Sektorit të Punëve të Brendshme të Komunës së Tetovës, Marjan Josifovski.

I arrestuari A.B., gjithashtu ka qenë i shpallur në kërkim në ueb – faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Burimet e Portalbit, thonë se që nga ardhja e kryetares së Komunës së Tetovës në detyrë, personi i arrestuar ka qenë sigurim i saj.

Në lidhje me atë se si është e mundur që një person, i cili është në kërkim me fletë-arrest qendror dhe ndërkombëtar, të jetë i punësuar ose në shërbim të detyrës në Komunën e Tetovës, Portalb ka kontaktuar me sektorin përkatës të Komunës, por të njëjtët kanë zgjedhur të heshtin.

Temat
LajmeRajon

Të afërta