Ja si e shkatërron droga trurin e një të riu

Provimi i drogës që në moshë të re ul në mënyrë dramatike koeficientin e inteligjencës dhe rrit rrezikun e zhvillimit të depresionit, çrregullimin bipolar dhe mosfunksionimin e trurit, ka zbuluar një studim i ri.

Sa më i ri të jetë truri, aq më i dobët bëhet kur rritet, paralajmërojnë shkencëtarët tek Universiteti Perëndimor i Kanadasë.

Studimi tregon gjithashtu se droga mund të ketë një ndikim shkatërrues në procesin e zhvillimit mendor.

Sipas këtij studimi, të publikuar, kanabisi dobëson memorien, shikimin dhe logjikën tek adoleshentët.

Përdorimi i hershëm i mariuanës lidhet gjithashtu me koeficient të ulët të inteligjencës. Dhe sa më herët të nisë përdorimi i saj, aq më shumë përkeqësohet gjendja mendore.

Mariuana gjithashtu nuk i lehtëson simptomat e depresionit tek adoleshentët, pavarësisht pretendimeve të grupeve që janë pro legalizimit të saj. Madje, në disa pjesë të trurit simptomat e depresionit përkeqësohen edhe më shumë.

Gjatë studimit u rekrutuan disa të rinj që u ndanë në katër grupe.

Në grupin e parë ishin të rinjtë që vuanin nga depresioni dhe nuk ishin përdorues droge. Tek i dyti ishin me depresion dhe përdorues të rregullt të drogës. Tek i treti ishin përdorues të rregullt të drogës dhe që nuk vuanin nga depresioni. Dhe në të katërtin ishin individë të shëndetshëm që nuk përdornin drogë.

Studiuesit i ndanë pastaj pjesëmarrësit në nëngrupe: ata që kishin filluar të përdorin drogë para moshës 17 vjeç, dhe ata që kishin filluar më vonë ose nuk e kishin provuar fare.

Secili adoleshent iu nënshtrua testeve psikiatrike, të njohjes dhe koeficientit të inteligjencës, si dhe skanerit në tru.

Në fund të studimit shkencëtarët zbuluan se individët që e përdorin drogën në një moshë të re kanë më shumë çrregullime mendore. Autorja kryesore e këtij studimi, dr. Elizabeth Osuch, thotë se duhet të bëhen më shumë kërkime mbi këtë çështje. Hapi tjetër i tyre është të hulumtojnë mbi çështjen nëse të rinjtë janë të predispozuar gjenetikisht të përdorin drogë që në moshë të re.

Studimi është publikuar te revista “Acta Psychiatrica Scandinavica”

Temat
Shëndet

Të afërta