Gjobat e larta zvogëlojnë aksidentet fatale në vend

Zbatimi i Ligjit të ri për Komunikacionin vlerësohet se po tregon efektet e para. Si rezultat më i rëndësishëm potencohet fakti se në muajin e fundit ka rënë numri i aksidenteve me fatalitet dhe me lëndime trupore.

Kështu thonë autoritetet e rendit, sipas të cilave, periudha e njëjtë e këtij viti krahasuar me atë të vitit të kaluar shënon ulje për 13 për qind, nëse krahasohet numri i aksidenteve.

Ndryshe, nga 20 shtatori i këtij viti ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, përmes të cilit janë përcaktuar rregullat e reja për shoferë, këmbësorë dhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Milaim Fejzullahu, nga Njësiti për Trafik në Policinë e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se, përpos aksidenteve me fatalitet dhe lëndime trupore, ka rënë dukshëm edhe numri i gjobave. Sipas tij, shoferët po tregojnë një vetëdijesim më të lartë lidhur me respektimin e rregullave në komunikacion.

“Tash e një muaj është fuqizuar Ligji i ri i Trafikut dhe bazuar në statistika të aksidenteve paraprake, në këtë muajin e fundit vërehet rënie e aksidenteve përreth 13 për qind. Kryesisht ka rënie të aksidenteve fatale dhe me lëndime trupore”.

“Viteve paraprake ka pasur shumë aksidente, derisa tash vërehet një qetësi sa i përket qarkullimit rrugor. Është me rëndësi të ceket se edhe gjobat kanë rënë dukshëm, pasi ka shumë më pak kundërvajtës”, ka thënë Fejzullahu.

Ndryshe, të paktën 50 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar në aksidente trafiku në gjysmën e parë të vitit, flasin shifrat zyrtare të Policisë së Kosovës, ndërkohë që një numër aksidentesh kanë shënuar posaçërisht periudhën e verës.

Autoritetet e rendit thonë se vetëm gjatë vitit 2016 kanë shqiptuar 2,748 tiketa me gjobë, por shkeljet e rregullave në trafik dhe tejkalimi i shpejtësisë janë shndërruar në “tragjedi për shumë familje”.

Temat
LajmeVend

Të afërta