Albulena Kryeziu aktorja më e mirë në Mediterranean Film Festival

Aktorja e re me origjinë nga Kosova, Albulena Kryeziu, është shpallur aktorja më e mirë në “Mediterranean Film Festival” në Itali. Më e mira u shpall për rolin e...

Aktorja e re me origjinë nga Kosova, Albulena Kryeziu, është shpallur aktorja më e mirë në “Mediterranean Film Festival” në Itali. Më e mira u shpall për rolin e saj në filmin “Tradhti me letra”, në regji të Valmir Tertinit.

Filmi “Tradhti me letra” shpjegon fatin e Meritës, e cila pranon që burri i saj Azemi të martohet me një grua gjermane, vetëm për letra – pra për leje qëndrimi në këtë vend. Dhe, ky është një fat që e njohin shumë gra dhe burra shqiparë, të cilët e pranojnë një lidhje të tillë fat, vetëm e vetëm për të siguruar një të ardhme më të mirë. Merita dhe Azemi kanë një vajzë, por Anna, gruaja gjermane e Azemit, insiston që pas katër vitesh të shkojë në vendlindjen e burrit, ku takon edhe Meritën, të cilën Azemi e prezanton si motër. Ndërsa gocën e tyre e prezanton si mbesë.

Drama familjare

Këtu fillon një dramë e vërtetë familjare, ku aktorja e re Albulena Kryeziu dëshmon edhe gjithë mjeshtrinë e saj në këtë profesion. Në veçanti dramatike duket gjendja e saj pasi ajo kupton se martesa “vetëm për letra”, është në fakt një tradhëti familjare, të cilën ajo e përjeton rëndë.

“Çmimin ma ndau Mediterranean Film Fest -MedFF, që mbahet në Sirakuza të Italisë. Por t’ju them të drejtën, pretendimi im nuk ka qenë kurrë që të jem aktore vetëm për çmime”, thotë Albulena Kryeziu për Deutsche Welle-n.

Kjo mund të konsiderohet mbase edhe si mungesë ambiciesh profesionale, por Albulena e sheh filmin si një “projekt të përbashkët që rezulton me shikueshmëri të lartë nga publiku dhe jo si një aspiratë vetiake”. Megjithatë Albulena i gëzohet shumë këtij çmimi.

“Kur e mora lajmin që kisha fituar çmimin si aktorja më e mirë, më befasoi dhe njëkohësisht më gëzoi shumë. Ky ishte një lloj shpërblimi për punën e bërë, ishte një shpërblim i papritur”.

Kushtet e rënda në Kosovë

Kinematografia në Kosovë vepron në kushte të rënda. “Rruga e një kineasti është me të vërtetë e vështirë. Dhe sado që ndahen fonde, ato nuk janë të mjaftueshme. Por për fat (edhe pse për këtë që them, e them me keqardhje) kemi shumë kineastë, të cilët punojnë me zell të jashtëzakonshëm dhe çajnë kufijtë, pavarëishst fondeve”, pohon ajo. “Por e bukura është që komunikimi sot është më i thjeshtë dhe në një farë forme puna jonë mund të prezantohet më lehtë – pavarësisht nëse kemi viza apo jo”.

Albulena pohon se nuk do t’i ndahet këtij profesioni, pavarësisht kushteve të rënda në Kosovë. Ajo punon në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ndër më të dalluarat janë rolet e saj në “Eshtrat që vijnë vonë”, “Kolona”, “Vdekja dhe Vasha”, “Turpi” etj. Ndërsa në këtë film ajo luan së bashku me aktorët: Alexandra Waluk, Fisnik Zeqiri, Granit Shala, Molikë Maxhuni dhe Nexhip Nexhipi.

Temat
Art

Të afërta

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com