Përfundojnë hetimet për vrasjen e Almirit (VIDEO)

Kanë përfunduar hetimet për vrasjen e vogëlushit Almir Aliu i cili u shtyp për vdekje me makinë pas një zënke banale midis babait të tij dhe Boban Iliqit, kohë më parë në afërsi të Entit shëndetësor në Kumanovë. Avokati i familjes Aliu thotë se deklaratat e dëshmitarëve kanë qenë shumë të qarta se Almiri 4 vjeçar u vra në mënyrë të egër.

“Në datën 7 tetor është bërë dëgjimi i dy dëshmitarëve të tjerë dhe me këto dëshmi u kompletua pjesa e hetimit të dëshmitarëve, të dyshuarve si dhe të dëmtuarve. Sipas meje si avokat i familjes së dëmtuar mund të vijmë në përfundimin se me të vërtetë i dyshuari pa asnjë arsye, në mënyrë të egër e ka kryer veprën penale, që është vrasje. Të njëjtit dëshmitarë dhe të dëmtuarit janë shumë të qartë dhe preciz në deklaratat e tyre”, tha Asmir Alispahiq, avokat.

Sipas avokatit procesi është duke rrjedhur me dinamikat e parapara dhe së shpejti pritet të ngrihet aktakuza.

“Pritet të mbërrijnë edhe dy ekspertiza të cilat janë dhënë nga Gjykata e Kumanovës dhe pas kësaj pritet që të ngrihet akuzë që të mund të caktohet edhe vetë gjykimi nga Gjykata Themelore dhe me një procedurë ligjore t’i shqiptohet dënimi i cili është edhe i paraparë me ligj”, u shpreh Asmir Alispahiq, avokat.

Avokati mbrojtës i familjes Aliu, e cila humbi anëtarin më të ri të saj, vazhdon të këmbëngul që dënimi i kryerësit të vrasjes të jetë maksimali, përkatësisht dënim me burg të përjetshëm.

Temat
LajmeVend

Të afërta