Mediat serbe: E kujt është Trepça? Ajo vlen 100 milardë euro

Mediat serbe shkruajnë se Kosova e mori Trepçën, kurse palës serbe i mbetet që tash të luftojë që t’i mbajë minierat e pasura të këtij gjiganti.

Përmes një videoje të shkurtër portali serb Telegraf.rs, shtron pyetjen: E kujt është Trepça? Videoreportazhi përshkruan me disa fjali historikun e Trepçës.

Aty thuhet se eksploatimin e parë në minierat e Trepçës e filluan romakët, pastaj e vazhduan serbët, kurse eksploatimi i minierës pushon gjatë kohës së pushtimit turk.

Portali serb thotë se Nikolla Pashiqi e fitoi koncesionin për të gjitha minierat, pas luftërave ballkanike, transmeton Telegrafi.

Më pastaj Konsorciumi Britanik “Selection trust LTD” e blen koncesionin nga Pashiqi dhe fillon hulumtimet për mineralet në Trepçë. Më 10 tetor 1939 hapet miniera në pronësi të britanikëve.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, sipas portalit serb, komunistët e nacionalizojnë Trepçën dhe pasuria e saj kalon në pronësi të Krahinës Autonome të Kosovës.

Në vitin 1989 Serbia suprimon autonominë e Kosovës dhe Trepça kalon në pronësi të Serbisë.

Portali serb shkruan se me atë status Trepça vazhdon të jetë edhe pas vitit 1999, duke potencuar se miniera është e pasur me minerale, por nuk punon me kapacitete të plota.

Sipas këtij portali pasuria e përgjithshme e Trepçës vlerësohet të jetë 100 miliardë euro, shkruan portali serb.

Temat
LajmeVend

Të afërta