LDK akuzon Shpend Ahmetin për keqmenaxhimin e institucioneve në kryeqytet

Grupi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Prishtinës ka akuzuar udhëheqjen e Komunës së Prishtinës, në krye me kryetarin Shpend Ahmeti, për keqmenaxhimin e institucioneve në kryeqytetin e Kosovës.
“Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se ndërprerja e punës nga inspekcioni në institucionin parashkollor “Gëzimi Ynë”, për shkak të kushteve të rënda për punë dhe pamundësisë të qëndrimit sipas orarit të fëmijëve, është pasojë e dështimeve të Komunës dhe udhëheqësisë së saj në menaxhimin e institucioneve, si në rastin e kësaj qerdheje”, thuhet në një komunikatë të LDK’së, transmeton Gazeta Express.

“Janë prindërit ata që flasin dhe reagojnë atëherë kur gjendja bëhet e padurueshme.
Përpjekjet për të fshehur ndërprerejn e punës në një nga objektet e kësaj qerdheje, duke e lejuar një numër të vogël të fëmijëve për qëndrim në qerdhe në objekte të tjera të kompleksit, me gjendje pothuajse të njëjtë, tregon se qeverisja në Prishtinë po përpiqet t’i fshehë të gjitha dështimet, të mos ketë transparencë dhe llogaridhënie”, thekson komunikata.

Sipas Grupit të LDK’së, udhëheqja e Prishtinës ka hyrë në fazën më të rëndë të dështimeve, me pasoja të rënda për kryeqytetin, teksa, siç thonë ata, po merret “me çështje krejt të tjera nga ato për të cilat mori mandatin zgjedhor… me çështje jashtë domenit të saj ligjor dhe administrativ”.

Grupi i LDK’së në Kuvendin e Prishtinës ka kërkuar nga kryetari Shpend Ahmeti të ndërmarrë masat e duhura që Komunës të mos i mbyllen qerdhet për shkak të kushteve të rënda për fëmijë.

“Kërkohet që udhëheqësia e Komunës të merret me mirëqenien e qytetarëve të Prishtinës më shumë e jo me çështjet e nivelit qendror të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e LDK’së.

Temat
LajmeVend

Të afërta