E pranon Vuçiq: Serbia e pafuqishme për Trepçën, jemi të vegjël!

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se sa i përket Trepçës bëhet fjalë për standard të dyfishtë dhe nuk mendon se shqiptarët të gjithë këtë e kanë bërë të vetëm.

Sipas tij, Serbia njëkohësisht shtron pyetje pse askush nga BE-ja nuk reagon për gjuhën e ashpër të Kroacisë, e kësaj here gazetarët e kanë pyetur se pse askush nga partnerët e Serbisë në Bruksel nuk ka reaguar për vendimin e Kosovës lidhur me Trepçën.

“Nuk reagojnë pasi që ne jemi partner i vogël. Dyshoj se do të reagojnë, e as që e kam pritur se do të reagojnë. Ata do të reagonin për ndonjë gazetar të ndonjë shtëpie mediale që financon BE-ja, Rokfeller, Rotshild… Për këtë do të reagonin, por për Trepçën jo. A janë këto standarde të dyfishta? Po, e kam parë këtë, e kam thënë, por çfarë të bëjë, a ta shkatërrojë të ardhmen e Serbisë? Jo, nuk do ta bëj”, ka treguar pafuqi ai, transmeton lajmi.net.

“Sikur të isha idiot do të mendoja se këtë e kanë bërë vetëm shqiptarët. Dikush i ka lejuar të bëjnë këtë. Dëgjoni, ai që mendon se jam shumë budalla, gabon. Kështu e shoh”, ka thënë tutje ai.

Tutje ai ka thënë se Serbia nuk do të kërkojë mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilën do të diskutohej për Ligjin për Trepçën, që është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk e kam pranuar këshillën e Zyrës për Kosovën që të shkojmë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Vuçiq, dhe ka shtuar se ai “nuk është kryeministër i cirkut dhe se nuk ka dëshirë që të gjithëve tu shpjegojë se është serb i madh”, raporton agjencia Beta.

Më tutje, në konferencën e sotme për gazetarë në Beograd, ai e ka shtruar pyetjen se “cili do të ishte rezultati në Këshillin e Sigurimit” dhe tha se në këtë pyetje, Marko Gjuriq, shef i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, që e kishte paraqitur këtë propozim, nuk ka pasur përgjigje.

Temat
LajmeVend

Të afërta