I akuzuari për financim të terrorizmit mohon se mbështet ISIS-in

I dyshuari për financim të terrorizmit, biznesmeni nga Peja, Fatos Rizvanolli, duke mohuar akuzat e gjykatës që rëndojnë ndaj tij, u deklarua edhe kundër ideologjive dhe grupimeve terroriste të ISIS-it.

Fatos Rizvanolli tha në gjykatë se është kundër ideologjive të organizatave terroriste. I akuzuari për rekrutim në terrorizëm mohoi në gjykatë se mbështet ideologjinë e ISIS-it dhe se ndihmoi financimin ose rekrutimin për këto grupe terroriste.

“Unë dhe familja ime dënojmë çdo akt terrorist të kryer nga kushdoqoftë dhe kudoqoftë, ISIS, apo “Al Nusra”, në Siri apo kudoqoftë. Nuk mbështes ideologjinë e ISIS-it dhe asnjë organizate tjetër terroriste”, citon “Kallxo.com”, të ketë deklaruar Rizvanolli para Gjykatës Themelore në Ferizaj.

“Asnjëherë nuk kam mbështetur, ndihmuar apo financuar asnjë individ apo grup të caktuar që është marrë me aktivitete terroriste dhe kjo do të provohet gjatë shqyrtimit gjyqësor”, ka thënë Rizvanolli.

Avokati i tij, Besnik Berisha i propozoi Gjykatës që dëshmitar i mbrojtjes të jetë Zeqirja Qazimi, ish-imam në xhaminë “El-Kudus” të Gjilanit, të dënuar me 10 vjet burgim po për rekrutim në terrorizëm. Sipas Berishës, Qazimi do të demantojë pretendimet e Prokurorisë.

Në seancën e sotme, para Rizvanollit duhej të dëshmonte i ftuari nga prokuroria Ismajl Selimi, por ai nuk u paraqit në Gjykatë, ndërsa Gjykata nuk kishte prova se Selimi ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, shkruan Kallxo.com.

Temat
LajmeVend

Të afërta