Majko, i zhgënjyer me politikën kosovare që kopjon Tiranën

Ish-kryeministri shqiptar, aktualisht deputet socialist në Shqipëri, njëherësh edhe shtetas i Kosovës, Pandeli Majko, është i prirur t’i shikojë gjysmën e gotës që është e mbushur me ujë dhe jo gjysmën që është bosh, kur vjen fjala për zhvillimet në Kosovë, pavarësisht kritikave për klasën politike kosovare.

Ndërkohë që mënyra “e ngrohtë” e marrëdhënies që Beogradi ofron për Tiranën, sipas Majkos, ka një hile, që është të tejkalojë Kosovën dhe Kosova të mos shihet si pjesë e kësaj marrëdhënieje shqiptaro-serbe, shkruan sot Koha Ditore.

Duke e konsideruar veten si pjesë e Kosovës, pasi që prej 6 muajsh ai është edhe shtetas i saj, Majko është i zhgënjyer pasi nuk e kishte menduar që politika në Kosovë t’i ngjante asaj të Tiranës.

“Është në formësim krijimi i dy kampeve politike në Kosovë të cilat për mirë ose për keq kanë kopjuar një pjesë të fjalorit që prodhohet nga politika e Tiranës. Unë sinqerisht kam menduar se politika e Prishtinës do të bënte një diferencë nga mënyra e të artikuluarit të politikës nga Tirana, por ja që ndodhi ajo që nuk pritej dhe aty situata shpesh ka perceptuar me një histori e cila nuk i ka dhënë emër të mirë as Kosovës, as shqiptarëve në përgjithësi, sidomos përdorimi i bombave tymuese në parlament ishte diçka vërtet e rëndë, pavarësisht qëllimit. Unë nuk mund ta imagjinoj që në një parlament të përdoren metoda të tilla. Unë ua kam thënë këtë kur i kam takuar përfaqësuesit e opozitës në Kosovë”, theksoi Pandeli Majko.

Temat
Lajme

Të afërta