Interforca e Sajës dhe Trajkëlli i Cacit

Rreth 15 vjet më parë gazetarët e Tiranës shqyheshin së qeshuri me deklaratat e shefit të Misionit të FMN. Ishte një farë Trajkëll. Qëndrimet e tij publike ishin të...

Rreth 15 vjet më parë gazetarët e Tiranës shqyheshin së qeshuri me deklaratat e shefit të Misionit të FMN. Ishte një farë Trajkëll. Qëndrimet e tij publike ishin të tilla që dhe zëdhënësat më të thekur të Nanos skuqeshin dhe kur mendonin se mund ti bënin.
Por Trajkëlli jo.

Ai shkrihej i gjithi kur shikonte herë në dritë të syve dhe herë nga duart Cacin, ministrin e atëhershëm të Financave. E bëri kaq baltë duke mbështetur qeverinë shqiptare sa Bretton Woods e largoi. Megjithatë Caci u kujdes që ti gjente një tjetër punë në Tiranë, qytetin ku zyrtari ndërkombëtar kishte gjetur parajsën.

Konferenca djeshme e shtypit të oficerit të Interforcës gjithë gazetarëve të vjetër të Tiranës duhet tu ketë sjellë ndërmend Trajkëllin që ka humbur pa nam e nishan dhe kushedi në cilin skaj të globit kujton me nostalgji vitet në Shqipëri. Është shkatërruar 99.8 për qind e drogës së mbjellë, deklaroi oficeri i Interforcës italiane.

Përpjekja për të dhënë një shifër të saktë deri dhe me presje dhjetore është më se qesharake. Oficeri deklaroi se janë kryer 42 fluturime por nuk mori përsipër të pohojë nëse këto fluturime kanë mundur të evidentojnë gjithë parcelat e mbjella me kanabis. As drejtori I përgjithshëm I policisë shqiptare nuk dha ndonjë shpjegim.

Hysni Cako u ndal kryesisht tek risia e kultivarëve të këtij viti. Si një brigadier arre, Çako u mjaftua të shpjegojë efektet që solli fara vietnameze në mbjelljet e sivjetme.

Besueshmëria se fluturimet e avionit të Interforce mund të zbulonin gjithë hashashin e mbjellë në Shqipëri u rrëzua si gjithnjë nga ajri. Në kohën kur këto fluturime kishin përfunduar, fluturimi i një helikopteri të ushtrisë rrëzoi si një kështjelle rëre pretendimet e Tahirit dhe Interforce.

Nga bordi i helikopterit që po transportonte një grup gazetarësh drejt Bizës, vetëm 20 km larg të Tiranës u zbuluan plantacione pa fund me hashash, pamje që u transmetuan nga të gjithë televizionet. Këto plantacione nuk ishin evidentuar nga avioni i Interforce.

E megjithatë siguria e oficerit Italian arrin deri në presje dhjetore. As Trajkëlli, ndonëse jo polic por financier, nuk fliste me kaq siguri matematikore.

Për të kuptuar përmasat e përhapjes së hashashit dhe vullnetin e Ministrisë së Brendshme për ta luftuar nuk mjaftojnë deklaratat e oficerit të Interforce dhe sikur për dreq ai helikopteri I Ushtrisë të mos kishte fluturuar mbi rrethinat e Tiranës. Guximi I trafikantëve që ruanin parcelat duke kërcënuar me kallash prokurorin dëshmon se muaj me radhë Shqipëria ka qenë një territor I kontrolluar nga mafia.

Industria e hashashit ka arritur të ndërtojë një shtet paralel në Shqipëri. Qeveria po përpiqet prej vitesh të ndërtojë një pistë për avionët çarter që të sjellin turistë në jug të vendit por pa rezultat. Ndërkohë industria e hashashit arriti të ndërtojë pistën e Ishmit, ku u rrëzua avioni I dytë me drogë. Rrëzimi i avionit të dytë përbën rrëzimin e shtetit. Vullneti se ministria e brendshme ka në luftën kundër trafikut të narkotikëve dëshmohet në Ishëm.

Si shpjegohet që në zonën më të ekspozuar të vendit të ngrihet një infrastrukturë e tillë? Dhe ajo që është më kryesorja a është ndëshkuar ndonjë zyrtar që mbylli sytë për atë “kryevepër inxhinjerike”. Në një vend normal zbulimi I kësaj piste avionësh do kishte shkaktuar stuhi dorëheqjesh dhe shkarkimesh, por deri tani asnjë masë nuk është marrë. Duket se avioni dhe piloti pensionist Italian u mbeti në dorë.

Mburrjet e Tahirit me Lazaratin tashmë ngjasojnë me rrahjet e gjoksit të Shefqet Peçit në fund të viteve 80 për luftën nacional-çlirimtare. Ca më tepër që operacioni I Lazaratit ka anën e tij të errët. Në Gjirokastër dhe fëmijët e dinë se kapot realë të Lazaratit nuk u kapën. Se atyre u la I hapur shtegu I Manalatit për tu larguar të patrazuar në errësirë me thasët e mbushur me euro. Madje flasin dhe për doganën që u desh të paguanin.

Në Shqipëri gjatë gjithë viteve të tranzicionit kanë kaluar mijëra ambasadorë e zyrtarë ndërkombëtarë. Tashmë rrallëkush sugjestionohet prej tyre. Ca më tepër që deklaratat e tyre ti marrë të patjetërsueshme në besueshmëri si Dhjetë Urdhëresat e Dhjatës. E megjithatë Interforce është zyra e ngritur nga Italia, vendi që ka dhuruar mbi 1 miliardë euro në Shqipëri, vendi që ka bërë më shumë se kushdo për shqiptarët këto 25 vjet. Por disa policë Interforce nuk janë gjithë shteti Italian.

Për të qenë e besueshme në opinionin publik shqiptar kjo zyrë duhet të kalojë një test. Pak muaj më parë u përfshi në një skandal. Prokuroria ka nisur hetimet duke marrë në hetim drejtuesit e policisë shqiptare për përgjim të paligjshëm të elitës politike dhe më gjerë të Shqipërisë. Aparati që ishte përdorur për përgjim ishte sjellë nga oficeri i Interforcë.

Kjo zyrë ka refuzuar ta dorëzojë këtë pajisje prokurorisë shqiptare për të verifikuar nëse pretendimet për përgjim janë të vërteta apo jo. Në këto rrethana, deri sa Interforcë të dorëzojë pajisjen që ua kishte vartësve të Tahirit ne na lind dyshimi se Saje e përdor oficerin e Interforcës si Caci Trajkëllin dikur.

Temat
Opinione

Të afërta

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com